Policia e Kosovës ka njoftuar se në rajonin e Gjilanit ka arrestuar 15 persona që dyshohen për veprat penale “Lëshim i çeqeve pa mbulesë ose të rreme dhe keqpërdorim i kartelave të bankës apo të kreditit” dhe “Mashtrim kompjuterik”.
Sipas njoftimit të Policisë arrestimi i tyre është bërë pasi gjatë hetimit janë siguruar dëshmi të arsyeshme se të dyshuarit kanë qenë të përfshirë në këto veprat penale.
“Bazuar në informacionet dhe provat e mbledhura gjatë hetimit, të dyshuarit, dyshohet se në periudha të ndryshme kohore me qëllim të përfitimit material të kundërligjshëm për vete dhe persona të tjerë kanë përdorur të dhëna të ndryshme bankare, duke shkaktuar dëme materiale për qytetarë”, thuhet në njoftim.
Operacioni thuhet se është realizuar në koordinim dhe autorizim të Prokurorisë Themelore në Gjilan.
Të gjithë të arrestuarit me vendim të Prokurorit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.