Drejtorit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqit i është përkeqësuar serish gjendja shëndetësore dhe se i njëjti është në mbajtje nga Policia e Kosovës.
Avokati i Krasniqit, Taulant Ferizi tha se është refuzuar kërkesa e mbrojtjes për dërgimin e klientit të tij për trajtim shëndetësor në QKUK.
“Z. Nagip Krasniqi aktualisht është në mbajtje pavarësisht se gjendja e tij shëndetësore është përkeqësuar sërish. Kërkesa e mbrojtjes për dërgim në QKUK është refuzuar me arsyetimin se i njëjti ka qëndruar sot njëherë gjatë ditës në QKUK për trajtim. Ne do të shfrytëzojmë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi siç e parasheh ligji”, ka deklaruar Ferizi.
Ferizi tha se nuk është thyer dera e banesës se klientit të tij, dhe se e njëjta është çelur bashkë me Policinë gjatë procedurave hetimore.
Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se më 19 prill është arrestuar Nagip Krasniqi, nën dyshimet për tri vepra penale.
I arrestuari dyshohet për veprat penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, ushtrim i ndikimit dhe konflikt interesi.
Prokuroria Speciale tha se gjatë aksionit të zhvilluar të mërkurën është bastisur zyra e të dyshuarit në Prishtinë, dy banesa në kryeqytetin e Kosovës që ishin në pronësi të tij, me qëllim që të gjenden dëshmi “që kanë të bëjnë me veprat penale të lartcekura”.
“Gjatë bastisjes janë sekuestruar dokumente të ndryshme që ndërlidhen me rastin, pajisje elektronike si tre kompjuterë, një llap-top, një celular, një USB, në cilësi të provave materiale që do të shërbejnë për procedurën e mëtejme”, u tha në njoftim.
Drejtori i KEK-ut është dërguar në mbajtje prej 48 orësh.
Arrestimi i drejtorit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, ka nxitur reagime nga drejtuesit e subjekteve politike opozitare.
Krerët e partive opozitare, PDK, LDK dhe AAK, kanë thënë se kjo është dëshmi e abuzimit të Qeverisë në sektorin e energjisë./telegrafi/


