Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 6 muaj burgim Bekim Shkodra kurse me 1 vit burgim me kusht Besnik Qelajn, të ngarkuar me veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepra penale dhe huliganizmi”, për veprime të dhunshme në protestën e 2013-ës.
Aktgjykimi ndaj dy të akuzuarve u shpall të martën nga gjykatësi Eroll Gashi.
Sipas aktgjykimit, të akuzuarit Shkodra i shqiptohet dënimin me 6 muaj burgim me kusht, i cili nuk do të ekzekutohet nëse i njëjti nuk kryen vepër tjetër penale brenda periudhës verifikuese prej një vit.
Kurse, i akuzuari Qelaj është dënuar me 1 vit burgim me kusht, i cili nuk do të ekzekutohet nëse ai nuk kryen vepër tjetër penale brenda periudhës verifikuese prej dy vitesh.
Ndryshe, në seancën e 1 gushtit 2022, është veçuar procedura ndaj tyre pasi që të akuzuarit Shkodra dhe Qelaj kanë pranuar fajësinë për veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepra penale dhe huliganizmi”.
Bashkë me ta akuzohen edhe Dardan Molliqaj, Arsim Maqestena, Pajtim Havolli, Agron Kabashi, Egzon Azemi, Pajtim Demaj, Xhelal Sveçla, Frashër Krasniqi, Nol Nushi dhe Afrim Hoxha, për të cilët është veçuar procedura, për shkak të mosarritjes së sigurimit të prezencës së tyre në seancë.
Ndërsa, për të akuzuarin Sami Avdiu për veprën penale pjesëmarrja në turmë që kryen vepra penale dhe huliganizmi dhe për të akuzuarin Bekim Shkodra për veprën penale të sulmit ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, do të mbahet gjykim i veçantë./BPD/


