Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në orët e hershme të mëngjesit në një kafiteri në fashtin Runikë të Skenderajt, ku një person ka mbetur i vrarë dhe tre të tjerë janë plagosur.
Lajmin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.
“Rreth orës 01:21, të datës 10 gusht 2023, policia ka marrë informatën për të shtëna me armë zjarri në një kafiteri në fshatin Runikë të Skenderajt. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e nevojshme policore dhe ekipi mjekësor.
Bazuar në hetimet fillestare, nga arma e zjarrit lëndime kanë pësuar katër persona, njëri nga të lënduarit viktima N. L., 39-vjeçar edhe ka ndërruar jetë në vendngjarje, ndërsa tre persona të tjerë të lënduar (po ashtu nga arma e zjarrit ) janë dërguar për tretman mjekësor në QKUK.
Nga hetimet e para dhe këqyrja e vendit të ngjarjes, dyshohet se dy persona të maskuar kanë hyrë brenda në kafiteri kanë shtënë me armë dhe janë larguar në drejtim të panjohur.
Nga Policia e Koosvës thuhet se në cilësi të provave materiale në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar disa gëzhoja.
Gjithë veprimet e ndërmarra policore, janë udhëhequr nga prokurori i rastit i cili ka dalë në vend të ngjarjes ndërsa i njëjti ka autorizuar që trupi i pajetë i viktimës të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
“Hetuesit e Sektorit Rajonal, janë duke punuar intensivisht për identifikimin dhe arrestimin e kryesit/ve të veprës, si dhe zbardhjen e kësaj vepre penale”, ka thënë mes tjerash zëdhënësi Zahiti.


