Me rastin e Ditës Botërore të Librit, Instituti Pedagogjik i Kosovës, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Bashkimin Evropian – përmes projektit KosEd, organizoi tryezë diskutimi me temë Promovimi i Kulturës së Leximit në Shkolla.
Në këtë ngjarje morën pjesë drejtori i Institutit Pedagogjik me bashkëpunëtorët shkencorë, përfaqësues të Bashkimit Evropian, zëvendësministri i Arsimit, profesorë nga Fakulteti i Edukimit, drejtori i OJQ-së ETEA, si dhe drejtorë dhe mësimdhënës të shkollave nga disa komuna të Kosovës.
Nga Instituti Pedagogjik i Kosovës u prezantuan rezultatet e hulumtimit me temë: Qasja metodike e mësimdhënësve për të zhvilluar lexim-kuptimin te nxënësit.
Projekti KosEd prezantoi dokumentin “Modeli i vlerësimit të kulturës së leximit në shkolla”, një instrument që synon të matë dhe të përmirësojë qasjen ndaj leximit në sistemin arsimor.
Përfaqësues nga MASHTI prezantuan disa veprime sa i përket harmonizimit të programeve me zhvillimin e shkathtësive të leximit në nivel kombëtar, ndërsa nga Fakulteti i Edukimit u prezantuan perspektivat akademike mbi aftësinë e leximit në arsimin parauniversitar, si dhe gjetjet nga studimi i realizuar për programin Vlerësimi nga kolegët.
Në panel për sfidat dhe zgjidhjet e mundshme diskutuan edhe drejtori i OJQ-së ETEA dhe drejtorë dhe mësimdhënës të shkollave, të cilat ngritën çështje si: mungesa e bibliotekave funksionale në shkolla dhe e titujve të rinj, nevoja për trajnime të mirëfillta për strategjitë e lexim-kuptimit, mungesa e planeve konkrete për të nxitur leximin.
Në fund u konstatua se lexim-kuptimi nuk promovohet mjaftueshëm në shkolla dhe se nxënësit nuk janë të motivuar për të lexuar. Në këtë drejtim, u theksua nevoja për hartimin e një Plani të Veprimit për të ndryshuar qasjen ndaj leximit në shkolla.
