Presidenti amerikan, Donald Trump, ka rritur sërish presionin ndaj homologut ukrainas, Volodymyr Zelenskyn për të pranuar një marrëveshje paqeje me Rusinë.
Duke shkruar diçka si një përshkrim të gjatë në llogarinë personale në Truth Social, ai pretendon se një marrëveshje është “shumë afër” – por vetëm pasi të ushtrojë presion mbi presidentin e Ukrainës dhe i kërkojë ta “bëjë atë”.
“Jemi shumë afër një marrëveshje, por njeriu që ‘nuk ka asnjë kartë për të luajtur’ duhet tani, më në fund, ta bëjë atë”, tha ai.
“Pres me padurim që të mund ta ndihmoj Ukrainën dhe Rusinë të dalin nga ky kaos i plotë dhe total, që nuk do të kishte filluar kurrë nëse do të isha unë president!”, shtoi 78-vjeçari.
Megjithatë, pjesa më e madhe e mesazhit ishte e dedikuar për të kritikuar liderin ukrainas rreth deklaratës që ai bëri për Wall Street Journal, se Ukraina nuk do të pranojë të heqë dorë nga Krimea si pjesë e negociatave për paqen.
“Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky mburret në kopertinën e Wall Street Journal me deklaratën se “Ukraina nuk do ta njohë ligjërisht pushtimin e Krimesë. Nuk ka asgjë për të folur”. Kjo deklaratë dëmton seriozisht negociatat e paqes me Rusinë, sepse Krimea humbi shumë vite më parë, ndërsa presidenti i SHBA-së ishte Barack Husein Obama dhe sot nuk është as objekt diskutimi. Askush nuk po i kërkon Zelenskyt që të njohë Krimenë si territor rus, por nëse ai dëshiron ta kthejë atë – pse nuk e mbrojtën atë njëmbëdhjetë vjet më parë, kur iu dorëzua Rusisë pa luftë?”, tha Trump.
Ndryshe, Rusia mori kontrollin e Krimesë në vitin 2014, por pa luftën që shpërtheu në vitin 2022 me pushtimin e plotë të Ukrainës – diçka që Trump e përmend në mesazhin në Truth Social.
Por, Ukraina ka mbajtur gjithmonë qëndrimin se Krimea është pjesë e territorit të saj, me shumicën e komunitetit ndërkombëtar që refuzon të njohë kapjen e paligjshme të këtij territori nga Rusia