Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së hënës në Burgun e Hajvalisë, ku një person i paraburgosur dyshohet se i ka dhënë fund jetës.
Bëhet fjalë për Lulzim Selmanin, i cili vetëm pak javë më parë ishte arrestuar nën dyshimin për një rast kanosjeje ndaj 22-vjeçarit Ilmi Kongjeli nga Lipjani. Sipas informacioneve, Selmani kishte kërcënuar vazhdimisht të riun përmes rrjeteve sociale, përfshirë dërgimin e mesazheve kërcënuese në Messenger dhe publikimin e fotografive të tij dhe të babait të tij në Facebook me fyerje e shpifje.
Pas denoncimit të rastit, më 12 korrik Selmani ishte ndaluar në Aeroportin “Adem Jashari”, ndërsa me urdhër të prokurorit ishte dërguar fillimisht në ndalim, e më pas me vendim të gjykatës ishte transferuar në paraburgim.
Rrethanat e vetëvrasjes ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht. Autoritetet kompetente pritet të dalin me një njoftim pas përfundimit të hetimeve.


