Politikania serbe e Kosovës, Rada Trajkoviq, që aktualisht është këshilltare e Ministrit për Kthim dhe Komunitete, Nenad Rashiq, në Qeverinë e Kosovës, thotë se serbët e veriut duhet t’i pranojnë policët e rinj, që janë serbë të komunave të tjera të Kosovës.
Trajkoviq ka thënë se është e rrezikshme që qytetarët serbë të veriut të mos i pranojnë për mbajtës të rendit serbët e qyteteve tjera të Kosovës, të cilët janë rekrutuar së fundmi.
“Duke refuzuar pranimin e policëve serbë të Kosovës nga pjesët tjera të Kosovës, serbët në veri po forcojnë argumentin malinj se si komunitet nuk e përkrahin sundimin e ligjit. Është e rrezikshme. Veriu duhet të ketë një forcë policore që pasqyron përbërjen etnike të komunitetit shumicë në mënyrë që ligji të zbatohet efektivisht”, ka shkruar Trajkoviq.
“Serbët që punojnë në Policinë e Kosovës nuk janë më pak serbë se vëllezërit e tyre në veri dhe ata duhet të pranohen si vëllezër. Nëse veriu mund të toleronte për vite me radhë njerëzit e pushtetshëm vendas “të tij”, të cilët persekutonin disidentët në mënyrë të papërgjegjshme (dhe deri në shfarosje), çfarë i shqetëson ata me këta njerëz”, pyet ajo.
Sipas saj, serbët e veriut duhet ta shfrytëzojnë vëmendjen e ndërkombëtarëve për të marrë vendim për të ardhmen e tyre.
“Serbët në veri duhet të marrin një vendim të rëndësishëm për të ardhmen e tyre: duan të ndërtojnë jetë normale për veten e tyre në Kosovë apo vazhdojnë të ndjekin ata që i sollën në këtë situatë? Ata aktualisht kanë vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar dhe është e rëndësishme që më në fund ta përdorin këtë vëmendje me mençuri dhe saktësi”, thuhet në reagimin e Trajkoviqit.
Përkundër thirrjeve të ndërkombëtarëve dhe institucioneve të Kosovës, nga Serbia po vazhdon fushata e linçimit ndaj policëve të rinj serbë që kanë nisur detyrën në fillim të kësaj jave në Kosovë.
Sërish janë publikuar fotografitë dhe emrat e pesë policëve të tjerë në rrjetin social rus, Telegram.
Në përshkrimin e fotografisë gjithashtu ka pasur edhe një përgjigje për reagimin ndërkombëtar ndaj kësaj fushate linçuese.
Gjatë ditës së mërkurë kanë reaguar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti të cilët e kanë quajtur të papranueshme fushatën linçuese ndaj policëve serbë, ndërkohë që është kërkuar edhe reagimi i ndërkombëtarëve.
Për këtë kanë reaguar edhe ambasadori i SHBA-së, Jeffrey Hovenier dhe ambasadori i Britanisë Nicholas Abbott, si dhe ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde të cilët kanë kërkuar që një fushatë e tillë të ndalet, duke potencuar se Policia e Kosovës duhet të ketë diversitet.
Të mërkurën janë publikuar emrat dhe fotografitë e pesë policëve të rinj serbë, derisa është paralajmëruar se edhe emrat të tjerë do të publikohen.
Shefi i EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, është shprehur i shqetësuar për raportimet se ndaj policëve të rinj nga komuniteti serb ka nisur një fushatë linçuese nga përdorues serbë të rrjeteve sociale.
Ai e ka quajtur të papranueshëm çdo lloj kërcënimi apo frikësimi që bëhet.
Në fillim të kësaj jave e nisën punën 72 policë të rinj nga komunitetet joshumicë. Në Policinë e Kosovës bënë të ditur se 45 prej tyre janë nga komuniteti serb, 16 nga ai boshnjak, 8 nga komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian, si dhe tre turq.