Mbrojtësi i Tottenhamit, Destiny Udogie, ishte viktimë e një sulmi racist pas fitores ndaj Liverpoolit të shtunën.
Udogie bëri një postim në rrjetin social Instagram pas fitores 2-1 të Tottenhamit, me disa persona që iu përgjigjën me komente raciste duke e cilësuar atë si “majmun”.
Tottenham e ka dënuar ashpër këtë abuzim dhe kanë premtuar se do të ndërmarrin veprime ligjore ndaj atyre personave.
Në një deklaratë të hënën, klubi londinez tha: “Ne jemi të neveritur me mesazhet raciste në drejtim të Destiny Udogie në rrjetet sociale pas ndeshjes ndaj Liverpool të shtunën”.
“Ne do të punojmë me Ligën Premier dhe nëse është e mundur do të ndërmarrim veprime ligjore ndaj çdo personi që mund të identifikojmë. Ne qëndrojmë me ty Destiny”, thuhej më poshtë në deklaratë.
20-vjeçari pati një paraqitje mjaft pozitive ndaj Liverpoolit e cila u vlerësua lart nga komuniteti sportiv, duke neutralizuar sulmuesin egjiptian Mohamed Salah.
Kjo ndeshje përfundoi me polemika të shumta, për shkak se VAR-i nuk e cilësoi si të rregullt një gol të Luis Diaz që do t’i barazonte shifrat në atë sfidë, por dyshime u hodhën edhe tek kartoni i kuq i Diogo Jotas.