Nënkryetarja e Partisë së Lirisë dhe Drejtësisë, partia më e madhe opozitare në Serbi, Marinika Tepiq, ka deklaruar se në ditët në vijim do të publikojë informacione që lidhin presidentin serb, Aleksandar Vuçiq me kartelet e drogës.
Siç theksoi në një konferencë për shtyp në Kuvendin e Serbisë, Tepiq tha se lidhja mes Vuçiqit dhe organizatave për kontrabandë dhe shitje të drogës është Filip Koraq, i cili në vitin 2023 u ekstradua në Francë nga Hungaria.
Bëhet fjalë, sipas saj, për “mijëra dokumente, incizime zanore dhe fotografi” që Prokuroria për Krimin e Organizuar në Serbi “i mban në sirtarë”.
Ndër të tjera, bëhet fjalë për komunikime përmes aplikacionit Sky që datojnë që nga viti 2021, ku Koraqi kishte emrin e koduar “Robin”.
Në këto komunikime, pretendon Tepiq, përmenden Aleksandar Vuçiq, vëllai i tij Andrej Vuçiq, si dhe ish-sekretarja shtetërore e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, Dijana Hrkaloviq.
“A sugjerojnë të dhënat nga analiza se Koraqi kishte përcjellje policore në Serbi?”, pyeti Tepiq, duke fajësuar për këtë situatë prokurorët e Prokurorisë për Krimin e Organizuar.