Tre zyrtarë policorë të Stacionit Policor në Skenderaj janë suspenduar për 72 orë, pasi dyshohen se nuk kanë ndërmarrë veprime adekuate gjatë incidentit kur disa qytetarë sulmuan me vezë eskortën e kryeministrit Albin Kurti në Skenderaj.
Në komunikatën zyrtare të Policisë thuhet se Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicë Jug, në koordinim me Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK), ka ndërmarrë masën e suspendimit ndaj tre punonjësve policorë për shkak të mungesës së reagimit në rastin e prishjes së rendit dhe qetësisë publike.
“Hetimet e mëtejme ndaj zyrtarëve policorë për shkelje të mundshme do të zhvillohen nga institucionet përkatëse kompetente,” theksohet në njoftim.
Ky rast po hetohet nga institucionet kompetente, ndërsa policia ka premtuar që do të marrë masat e nevojshme për të garantuar sigurinë dhe respektimin e ligjit në të ardhmen.