Përktheu: KosovaNews/A. Begolli
Mediat amerikane kanë raportuar se administrata e Donald Trump ka hartuar një plan për transformimin e Gazës në një qendër turistike, ndërsa popullsia aktuale do të zhvendoset në këmbim të një pagese.
Sipas gazetës prestigjioze The Washington Post, plani 38-faqësh mban titullin “Rindërtimi i Gazës, nxitja ekonomike dhe transformimi nën kujdestari (TRUST)” dhe parasheh ndryshime rrënjësore në statusin e rajonit pas sulmeve izraelite, përcjell KosovaNews.
Në dokument thuhet se në kuadër të projektit “Gaza pas luftës”, nën kujdestarinë e SHBA-së, do të ndërtohet një resort turistik dhe gjithë popullsia do të zhvendoset “vullnetarisht” në vende të tjera kundrejt një pagese.
Plani bazohet në idenë që SHBA të marrë administrimin e Gazës për të paktën 10 vjet. Përveç turizmit, rajoni do të shndërrohet edhe në një qendër të prodhimeve të teknologjisë së lartë.
S’ka vend për palestinezët
Një nga pikat më kontestuese të planit është zhvendosja e rreth 2 milionë palestinezëve që jetojnë aktualisht në Gaza. Sipas dokumentit, ata do të shpërngulen në vende të tjera ose në një zonë të kufizuar dhe të sigurt, fillimisht në mënyrë të përkohshme.
Kompania që do të marrë përsipër rindërtimin e Gazës do t’u ofrojë banorëve një pagesë prej 5 mijë dollarësh dhe do të mbulojë qiranë për katër vjet në vendin ku do të zhvendosen.
Izraelitët pas projektit
Në dokumentin TRUST përfshihet edhe krijimi i një fondacioni të quajtur “Gazze Humanitarian Foundation (GHF)”, i cili do të menaxhojë shpërndarjen e ndihmave. Ky entitet, sipas kritikëve, shihet si përgjegjës për krizën e urisë në rajon dhe do të jetë nën ndikimin e SHBA-së dhe Izraelit. Dokumenti mban edhe nënshkrimet e palëve izraelite.
Duke kërkuar anonimitet burime të Washington Post theksuan se bëhet fjalë për një nga disa planet e hartuara nga administrata Trump dhe se ende nuk ka një miratim zyrtar.
Sipas tyre, ideja është ndërtuar mbi konceptin që Gaza të shndërrohet në një “qendër turizmi e Lindjes së Mesme”./KosovaNews/


