Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla njofton se e ka shpallur person të padëshirueshëm në Republikën e Kosovës, rusen Daria Asmalovan, e cila është arrestuar një ditë më parë nga Policia e Kosovës.
Sveçla përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se asaj i është ndaluar hyrja në Kosovë për pesë vite.
“Si Ministër i Punëve të Brendshme, brenda kompetencave të mia ligjore, bazuar në Ligjin për të Huaj, nenet 17 dhe 66A, kam shpallur person të padëshirueshëm në Republikën e Kosovës Daria Asmalovan. Hyrja e këtij personi është e ndaluar për pesë vite në territorin e Republikës së Kosovës. Kushdo që me qëllime apo direktiva të caktuara cenon apo tenton të destabilizojë vendin tonë, do të përballet pa diskutim me forcën e ligjeve të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Sveçla.
Kujtojmë se shumë shtete kanë thënë se Daria Aslamova është angazhuar në spiunazh për inteligjencën ushtarake ruse dhe se ka vepruar nën petkun e gazetares.


