Personi që rreth një dekadë mban pozita të larta drejtuese në kuadër të Shërbimit Korrektues të Kosovës, aktualisht drejtor në Burgun e Sigurisë së Lartë (BSL), Rasim Selmani, ka bërë një varg shkeljesh të rënda disiplinore gjatë punës së tij. Dosjet e hetimeve konfidenciale që i ka siguruar KosovaNews tregojnë se ai ka vepruar në kundërshtim me ligjet dhe është nxjerr përgjegjës për dallaveret që kanë ndodhur me rastin e punësimeve të zyrtarëve korrektues në Qendër Operative. Së fundi, Selmani gjithashtu kë bërë edhe shkelje tjera të rënda, pasi në mënyrë të paligjshme i ka dhënë privilegje një të dënuari për terrorizëm.
Përkundër këtyre, Rasim Selmani kohë të gjatë ka mbajtur pozita të larta nëpër burgjet e Kosovës dhe tani po synon të ngjitet edhe më lartë në hierarkinë institucionale. Ai tani është në listën e ngushtë për t’u përzgjedhur Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve të Kosovës, respektivisht Shërbimit Korrektues të Kosovës.
Në vendin tonë prej se kanë nisur punën institucionet pas luftës flitet shumë për punësimet jo ligjore. E si punësohen dhe si ngritën në pozita persona të caktuar në mënyrë të kundërligjshme, do të japin shembullin skandaloz që ka ndodhur në Shërbimin Korrektues të Kosovës (ShKK), respektivisht në ato dikastere ku përgjegjës është nxjerrë Rasim Selmani.
“Vjen rendi edhe për ty”, këto janë fjalët që Selmani u thoshte zyrtarëve që ankoheshin se vendin e punës kishte zënë një person pa kaluar testin e përcaktuar në konkurs.

Skandali në punësim
KosovaNews ka siguruar dosje dhe sjell detaje për një nga konkurset ku kishte dallavere në punësimin e disa zyrtarëve brenda ShKK-së.
Në muajin tetor të vitit 2019, Shërbimi Korrektues i Kosovës ka shpallur një konkurs të brendshëm për 10 pozita për të pranuar zyrtar korrektues, të cilët do të angazhoheshin në Qendër Operative (QO).
Për këto 10 pozita patën aplikuar 19 zyrtarë nga dikastere të ndryshme të ShKK-së. E prej 19 zyrtarëve që aplikuan në këtë konkurs të brendshëm, vetëm 12 i janë nënshtruar testit-intervistës, pasi të tjerët nuk kanë marrë pjesë.
Nga 12 të testuarit-intervistuarit, rezultatet tregojnë se pikë mbi 76% morën gjashtë persona (Fidan Ymeri, Beqir Dragaj, Leotrim Sylejmani, Florim Xhema, Muhamet Mehmeti, Islam Makolli) kurse prej 70 deri 75 për qind të pikëve morën katër të tjerë (Samet Ferataj, Mustaf Kololli, Nexhat Mexhuani, Fatlum Pllana).
Prej atyre që iu nënshtruan testit-intervistës nuk kaluan dy persona. Madje i fundit në listë që nuk ka kaluar figuron të jetë zyrtari Burim Limani, i cili kishte arritur të merr vetëm 61% të pikëve.
Mirëpo personi në fjalë mori vendin e punës edhe pse rezultati i tij është larg kriterit të kalueshmërisë, pasi nevojiten së paku 70% pikë për të kaluar tutje.
Shkeljet dhe dallaveret në punësim – Këtu fillojnë ankesat
Punësimi i zyrtarit Burim Limani në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi ka ngritur pakënaqësi tek zyrtarët e tjerë që kanë kaluar testin-intervistën në konkurs.
Dokumentet e siguruara nga KosovaNews dëshmojnë se ata janë ankuar për këtë padrejtësi. Për më shumë, ata në deklaratat e tyre para komisionit që është marrë me hetimin e kësaj çështje, shprehen të mllefosur për këtë diskriminim që ju është bërë, e i cili ka ndikuar edhe në demotivimin e tyre për punë.
“Unë iu kam nënshtruar procedurave të aplikimit dhe rekrutimit. Pasi janë shpallur rezultatet dhe e kam parë se kam kaluar jam shpërngulur me gjithë familjen nga komuna e Istogut në Prishtinë, pasi prisja të filloja me punë. Por në vend timin që isha i pari në listën e pritjes është pranuar Burim Limani, i cili nuk e ka kaluar testin”, ka thënë gjatë hetimeve zyrtari Samet Ferataj.
Zyrtari tjetër Mustafë Kololli deklarohet se është ndjerë shumë keq dhe ka përjetuar shok nga padrejtësitë që i janë bërë, kur në vend të tij dhe të tjerëve që kanë qenë në listë të pritjes është pranuar dikush që nuk e ka kaluar testin.
Se Burim Limani është punësuar kundër kritereve dhe rregullave e dëshmon në deklaratën e tij që ka siguruar KosovaNews edhe Lulzim Gashi, mbikëqyrës në Qendrën Operative (QO) të ShKK-së.
“Më ka telefonuar zëvendësuesi i drejtorit të përgjithshëm të ShKK-së, Rasim Selmani dhe më ka thënë se nga nesër fillon punën në Qendrën Operative zyrtari korrektues Burim Limani. Për këtë Selmani sipas hierarkisë ka qenë dashur ta informonte Ilir Kelmendin dhe jo mua. Por pas thirrjes telefonike unë e informova Kelmendin për atë se çfarë më tha Selmani”, ka thënë në fjalën e tij Gashi, duke pohuar se Limani nuk është pranuar sipas listës së konkursit, pasi që ka qenë në mesin e atyre që nuk kanë kaluar testin.

Anëtari i Komisionit të konkursit: Limani nuk kaloi testin – ishte më i dobëti
Pjesë e hetimeve për këtë rast ka qenë edhe anëtari i Komisionit përzgjedhës të konkursit, zëvendësuesi i Drejtorit për Siguri dhe Operativë, Ilir Kelmendi, i cili pohon se nga të gjithë zyrtarët e testuar që kanë aplikuar për të fituar një vend pune në Qendrën Operative, më i dobëti ka qenë Burim Limani dhe për këtë arsyje nuk e ka kaluar testin.
Ai shton se po të pyetej, Limani nuk do të përzgjidhej për QO, por këtë e ka kuptuar nga Lulzim Gashi me të cilin kanë qenë bashkë kur e ka telefonuar Rasim Selmani dhe i ka thënë se ai(Limani) nga nesër fillon punën.
Kelmendi sqaron se atëherë nuk ka mundur të merrte ndonjë veprim sepse këtë e bënte eprori i tij.
Selmani e pranon se e ka punësuar zyrtarin pa e kaluar testin
Njëri nga zyrtarët korrektues i mllefosur pasi kupton se dikush tjetër ka zënë vendin e tij të punës, i ka shkruan direkt Rasim Selamit dhe e pyet si është e mundur që të punësohet dikush që nuk e ka kaluar testin.
Këtu Selmani me autoritet tregon se e ka bërë këtë emërim edhe pse personi në fjalë nuk kishte plotësuar kushtet.
“Po dje e kemi caktu… Vjen rendi edhe për ty”, thotë mes tjerash Selmani gjatë bisedës me zyrtarin korrektues që i ankohej, Mustafë Kololli. (Bisedën e ka siguruar KosovaNews).

Shkeljet flagrante që ka bërë Rasim Selmani në këtë rast me mosrespektimin e rezultatit – vendimit përfundimtar të Komisionit përzgjedhës për rekrutimin e zyrtarëve në Qendër Operative, por duke e punësuar një person pa kaluar testin-intervistën, evidentohen në dosjen e hetimeve konfidenciale që ka zhvilluar një Komision brenda Shërbimit Korrektues të Kosovës .
“Komisioni konstaton se veprimi i tij i kundërligjshëm nga Zëvendësuesi i Drejtorit të Përgjithshëm z. Rasim Selmani ekziston tek neni 69 dhe 68 pika 5 dhe 6 e Ligjit për Zyrtarët Publik”, thuhet në raportin përfundimtar të hetimeve.

Pa konkuru – Ndodh edhe kjo nën udhëheqjen e Rasim Selmanit
Punësim tjetër në kundërshtim të plotë me dispozitat ligjore ka ndodhur edhe në një rast tjetër.
Kësaj radhe nuk është punësuar ndonjë person që nuk e ka kaluar testin-intervistën, por një që as nuk ka aplikuar fare në konkurs.
Bëhet fjalë për emërimin e personit Dejan Zhiviq në pozitën e zyrtarit në Qendrën Operative.
Në dosjen që ka siguruar KosovaNews, zyrtari korrektues Fatlum Pllana, i cili ka kaluar testin në konkurs dhe ishte në pritje të fillonte punën në Qendër Operative, ankohet se është ndjerë tejet i diskriminuar kur ka kuptuar se kanë filluar të punojnë persona që nuk e kanë kaluar testin dhe të tillë që nuk kanë konkuruar fare.
Edhe kjo shkelje që ka bërë Rasim Selmani me punësimin e një personi pa konkuruar fare, evidentohet në RAPORTIN E HETIMEVE që ka zhvilluar Komisioni brenda ShKK-së.
“Komisioni ka konstatuar se të gjeturat për këtë rast janë në kundërshtim të plotë me dispozitat ligjore të nenit 34 pika 9 dhe nenit 35 të Ligjit për Zyrtarët Pulik”.
Bazuar në të gjeturat, Komisioni Hetimor ka ardhë në përfundim se ky konkurs i hapur në tetor të vitit 2019, mandej procedura e rekrutimit dhe emërimet e mëvonshme kanë qenë plotësisht në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe për rrjedhojë rekomandon që sipas ligjeve të shqiptohen masa disiplinore për drejtuesit, duke përfshirë këtu Rasim Selmanin, që në kohën e konkursit mbante pozitën e zëvendësuesit të Drejtorit të Përgjithshëm të ShKK-së.

Familjarët e punësuar në ShKK
Punësime të ngjashme, sidomos të personave të afërm e familjarëve gjatë kohës sa Selmani ka mbajtur poste, janë bërë edhe në raste tjera. KosovaNews ka dëshmi për tre familjarë të drejtorit Selmani, që janë punësuar brenda ShKK-së.
Vëllai i gruas së Selmanit, Valdrin Berisha është punësuar si zyrtar korrektues në Burgun e Sigurisë së Lartë në vitin 2019, pra në kohën sa Rasim Selmani ka qenë zv. Drejtor i Përgjithshëm i ShKK-së.
Edhe daja i prindit të Selmanit, Kushtrim Seferaj ka nisur punën si zyrtar korrektues në Burgun e Sigurisë së Lartë në vitin 2019.
Kurse burri i hallës së Selmanit, Arben Krasniqi është punësuar në pozitën e zyrtarit korrektues në Smrekovnicë.
I dënuari për terrorizëm gëzon privilegje nga Rasim Selmani
Në institucionin që aktualisht drejton Rasim Selmani ndodhin edhe shkelje tjera, respektivisht janë bërë veprime në kundërshtim me rregulloret e brendshme me të cilat funksionojnë burgjet në Kosovë.
Në dosjen e hetimeve konfidenciale që ka siguruar KosovaNews evidentohen disa rasteve kur të burgosurit Fehmi Musa, i shpallur fajtor për veprën penale, shtytja për kryerjen e veprave terroriste, i janë bërë beneficione.
Këtij të burgosuri i është mundësuar më shumë se që lejohet me ligj e rregullore, dalja-qëndrimi në lokale të veçanta me bashkëshorten.
Se kjo ka ndodhur në Burgun e Sigurisë së Lartë (BSL) e pranon edhe vet Selmani, mirëpo ai konsideron se kjo nuk është shkelje, por vetëm një lëshim që ka ndodhur pasi ka rënë në lajthitje nga vlerësimi i panelit.
Mirëpo komisioni i ShKK-së i ka nxjerrë përgjegjës Rasim Selmanin dhe vartësit e tij, për këtë veprim në kundërshtim ligjet dhe me rregullat që operojnë institucionet korrektuese.

Gjithë këto shkelje dhe nxjerrja përgjegjës për to nga komisionet hetimore brenda Shërbimit Korrektues të Kosovës (ShKK) dhe Rasim Selmani leje që nuk është tërhequr nga pozitat drejtuese, por tani po synon të ngjitet edhe më lartë në hierarkinë institucionale. Ai tani po tenton të kap majën, pra të bëhet drejtor i përgjithshëm i burgjeve të Kosovës, respektivisht Shërbimit Korrektues të Kosovës.
Komisioni nga Departamenti për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë në Ministrinë e Punëve të Brendshme e ka publikuar dokumentin ku tregohet se Rasim Selmanin është në listën e ngushtë për t’u përzgjedhur Drejtor i Përgjithshëm i ShKK-së.
Rasim Selmani ka qenë në këto pozita: drejtor i Qendrës Korrektuese në Dubravë, zëvendësues i zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të ShKK, mandej zëvendësues i drejtorit të përgjithshëm në ShKK, si dhe aktualisht është drejtor në Burgun e Sigurisë së Lartë (BSL)./KosovaNews/
