Vetëm pak kohë pasi Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka kërkuar arrestimin e tij, Nuredin Lushtaku është dorëzuar në Policinë e Kosovës.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë i ka kërkuar Gjykatës Themelore që t’ua caktojë masën e paraburgimit F.L. dhe A.L., të dyshuar për sulmin ndaj zyrtarëve policorë në Skenderaj.
Në komunikatë thuhet të hënën se të dyshuarit F.L, A.L. dhe N.L., më 2 korrik, rreth orës 23:45, i kanë sulmuar zyrtarët policorë E.B. dhe M.G dhe njëri prej policëve është goditur me predhë të armës në këmbë.
Njëherit, pas grumbullimit të provave të mjaftueshme për këtë rast, prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë ka lëshuar vendimin për ndalim për të dyshuarin N.L., por i njëjti ende nuk është hasur nga policia dhe është në kërkim.
“Posa të arrestohet, ndaj të njëjtit do të paraqitet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit për shkak të veprave të lartcekura penale”, thuhet në komunikatë.
Mirëpo, nuk ka shkuar shumë kohë dhe Nuredin Lushtaku për të cilin prokuroria në Mitrovicë tha se është në kërkim është dorëzuar te organet e rendit.
Dorëzimin e tij e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë në Mitrovicë, Valon Preteni.
“Po, njëjti është dorëzuar në polici”, tha shkurt Preteni.
Lushtaku dyshohet se së bashku me disa familjarë është i përfshirë në rastin e plagosjes së policëve dhe për këtë punë është intervistuar nga policia.
Deri tani nga Policia e Kosovës është thënë se lidhur me rastin janë arrestuar dy persona derisa dy të tjerë janë ende në kërkim.
Sipas njoftimit, njëri nga policët ka marrë plagë nga arma e zjarrit derisa tjetri ka marrë lëndime nga mjetet e forta./Kosovanews/