Edhe 251 ushtarë të rinj kanë dhënë betimin dhe i janë bashkuar radhëve të Ushtrisë së Kosovës, duke bërë kështu rritjen e personelit ushtarak, brenda një viti me mbi 1000 ushtarakë më shumë.
Të pranishëm në këtë ceremoni të organizuar sot kanë qenë ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, zyrtarë të lartë të qeverisë së Republikës së Kosovës, gjeneralë dhe oficerë të lartë të FSK-së, familjarë dhe të ftuar të tjerë.
Në këtë rast, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj tha se rritja e personelit ushtarak, brenda një viti me mbi 1000 ushtarakë më shumë, do vazhdohet më tutje, dhe pas 9 javësh do të diplomojnë edhe mbi 300 rekrutë, ndërsa në muajin shtator do të shpallet konkursi i ri për 612 ushtarë aktivë dhe 367 rezervë.
Gjithë këto, sipas Mehajt bëhet për ta mbrojtur vendin tonë dhe për të siguruar paqen, dhe se Kosova do të punojë fort e pa ndalur që të ketë personel të përgatitur dhe me pajisje moderne.
“Të dashur ushtarë, ju keni qenë ëndrra më e madhe e popullit tonë, sot jeni realiteti më frymëzues e më krenar që kemi. Sot përpos neve dhe familjarëve tuaj që jemi mbledhur këtu, e ndjej që sikur edhe dëshmorët tanë janë këtu me ne, ata janë krenar, ata janë pafundësisht krenar me ju. Ata janë të qetë sepse atdheun e kanë lënë në duar të sigurta”, tha ai.
Ministri shtoi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës, është dhe do të mbetet gjithnjë krenaria jonë kombëtare, sepse është ajo që ëndrrën për liri na e bëri realitet.
“Ne jemi të qëndrueshëm e të pathyeshëm si Adem Demaçi dhe jemi trima si Adem Jashari. Dy Adema na udhëheqin neve, njëri në aspektin politik, tjetri në aspektin ushtarak. Të dy bashkë do të mbesin prijësit tanë të përjetshëm”, është shprehur ministri.
Mehja shtoi se nga përvoja e tij ushtarake ka kuptuar që ushtritë e mëdha e të fuqishme janë produkt i punës ekipore, vullnetit dhe dashurisë për atdheun që nuk ka çmim e nuk njeh pengesë.
“Gjatë rrugëtimit tuaj do të përballeni me vështirësi, me pengesa e me rreziqe, jetët tona edhe mund të shuhen, por atdheu dhe populli ynë nuk do të shuhet kurrë. Rruga drejt suksesit është e pamundur pa aleatët tanë, pa SHBA-në dhe NATO-në, ne do të kultivojmë gjithmonë raporte të shëndosha, të ndërtuara mbi bazën e sinqeritetit dhe besimit reciprok, sepse mbi të gjitha besimi ndërton aleanca të pathyeshme. Për besimin, për BESËN jemi të njohur ndër shekuj si popull. Vizioni, misioni dhe amaneti ynë është anëtarësimi i Kosovës në NATO”, tha ministri Mehaj para ushtarëve të rinj./KosovaNews/