Kuvendi i Kosovës po vazhdon me seancë ku në rend të ditës janë 11 pika dhe tani po diskutohet për të hyrat vetanake komunale.
Në fakt Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për bashkëfinancimin e bursave të arsimit të lartë në nivelin master në mes Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Ambasadës së Francës në Prishtinë, ka përplasur pushtetin me opozitën.
Vlora Dumoshi e LDK-së ka thënë se grupi ka marrë vendim politik “për të mos marrë pjesë në votim derisa ministri i Financave t’i zhbllokojë mjetet vetanake të Komunave”.
E ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se ministria që udhëheq nuk është duke bllokuar të hyrat vetanake komunale.
Ai, në seancën e Kuvendit, e sqaroi edhe gjithë procesin teksa tha se po manipulohet me ligjin për buxhetin.
“Po manipulohet se çfarë ka ligji i buxheti, MF-ja nuk ka problem me interpretime të buxhetit aty shkruan shumë mirë se të hyrat vetanake komunale nga viti 2022 barten në vitin 2023, opozita LDK-ja në këtë rast po kushtëzon barti edhe të hyrat e viteve paraprake kështu duke shkelur ligjin pasi kjo nuk parashihet në ligj”.
“Këta pikërisht për këtë e kanë bërë një amendament kur ka qenë votimi në lexim të dytë i ligjit të buxhetit dhe patën thënë që e kanë rregulluar këtë çështje tash po del që s’është ashtu. Unë kërkoj që LDK-ja nëse kërkon të zbatohet duhet të ketë amendament të ligjit, Ministria e Financave nuk është duke e blloku procesin”, tha ai.
Lidhja Demokratike e Kosovës është duke kushtëzuar që nuk do të votojë asnjë marrëveshje ndërkombëtare, nëse Ministri i Financave, Hekuran Murati, sipas tyre nuk mundëson që mjetet vetanake të komunave t’i kthehen pushtetit lokal.
Por kreu i Financave, Murati, ka thënë se LDK-ja, duhet t’i drejtohet me një kërkesë atij dhe të pranojë se amendamenti i përgatitur nga ky subjekt politik për këtë pjesë është bërë gabim.
“Është buxheti më i lartë për komunat ndonjëherë si rezultat i të hyrave të qeverisë. Nuk bëhet fjalë për bllokim të fondeve të komunave. Kërkesa duhet të vjen nga ju”, i është drejtuar Murati LDK-së.
Shefi i deputetëve të LDK-së, Arben Gashi në anën tjetër ka thënë se ata kanë bërë amandametimin që heq nga ligji marrjen e të hyrave vetanake.
“Ky ministër e ka shkaktuar këtë problem dhe po mendon që duke u sjell me gjuhë të padinjitetshme, kujton se mund të flasë ‘amandamenti gabim, amendamenti gabim’. Fol sa të duash. E vërteta është se ti ke dashur të marrësh mjetet. Kjo nuk mund të ndodhë. Pikë.Derisa të vetëdijesohet ministri, qëndrimi ynë nuk ndryshon.
“Për ne gjithçka është e qartë. Ligji është në rregull, thjeshtë ky nuk po dëshiron ta zbatojë”.
Pas Gashit, e gatshme për kompromis ka qenë shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Është e vërtetë që Murati e ka për detyrë menaxhimin buxhetit por Ministria e Financave e ka për obligim respektimin e ligjit. Kemi mbështetur amendamentin e LDK-së është propozuar. Mbështesim kërkesën nëse e bëjnë për Muratin për plotësim ndryshim të ligjit që të hiqet kufizimi i ligjit që e ka Thesari për ekzekutimin e mjeteve”, ka thënë Mimoza Kusari-Lila.
Kurse Besnik Tahiri nga AAK-ja ka theksuar se qasja e MF-së po e dëmton konsensusin politik për marrëveshje ndërkombëtare.
“Ne sot po e trajtojmë një marrëveshje të rëndësishme që lidhet me arsimin. A jeni duke e parë çka është duke bërë ministri i financave. E kemi mbështet një amandament në buxhet me të vetmin qellim që të hyrat vetanake të komunave tu kthehen atyre. Ky ka qenë qëllimi. A jeni duke e parë qe kjo qasje është ka e dëmton në esencë konsensusin politik për marrëveshje ndërkombëtare dhe ligje të tjera. Sepse ne si opozitë kemi votuar edhe ligje. Ne nuk mund të ndahemi prej opozitës në tema të tilla sepse jemi dakorduar për adresimin e çështjes së të hyrave vetanake. Çfarëdo tendence është LDK të bëj amandamente tjera është me qëllim të krijimit të bllokadave tjera”, ka thënë Tahiri.


