Serbia ka rënë dakord për një kredi prej 1,92 miliard eurosh me disa banka dhe institucione financiare franceze për blerjen e 12 avionëve Rafale dhe produkteve e shërbimeve të lidhura me to.
Kjo përfshihet në propozimin për Ligjin për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë, i publikuar në faqen e Kuvendit të Serbisë. Sipas Ligjit për borxhin publik, Kuvendi duhet të aprovojë çdo huamarrje shtetërore.
Më 29 gusht 2024, qeveria serbe përmes Ministrisë së Mbrojtjes nënshkroi kontratë me kompaninë Dassault Aviation për blerjen e 12 avionëve Rafale dhe shërbimeve të lidhura, shkruan Forbes Serbia.
Vlera totale e kontratës: 2,74 miliardë euro
Çmimi i përgjithshëm i pajisjeve dhe shërbimeve që do të dorëzohen nga shitësi është 2.745.000.000 euro.
Pagesa është organizuar që 30% e shumës të paguhet avans (823.500.000 euro), shumë që Serbia e ka paguar tashmë nga fondet e veta.
Pjesa e parë e pagesës paraprake ka qenë 15% e shumës së përgjithshme të kontratës (411.750.000 euro). Pjesa e dytë ishte në të njëjtën shumë, siç shihet në dokumentin e publikuar nga Kuvendi i Serbisë.
Më tej, janë parashikuar dy këste pagesash sipas realizimit, secila në vlerë prej 25% të shumës totale (nga 686.250.000 euro). Ato do të paguhen përmes kredisë së marrë.
Pjesa e mbetur, që përbën 20% të shumës totale të kontratës (549.000.000 euro), do të paguhet gjithashtu nga kredia.
“Shtetet palë e kanë lidhur këtë Marrëveshje për të përcaktuar termat dhe kushtet në të cilat huadhënësit janë pajtuar t’i vënë në dispozicion huamarrësit (Serbisë) një kredi deri në shumën maksimale prej 1.921.500.000 euro. Këto fonde do të përdoren për financimin e pjesës që përbën deri në 70% të çmimit total të kontratës”, thuhet në tekstin e propozimit.
Marrëveshja e kredisë do të jetë në dispozicion për pagesa direkte ndaj shitësit për mallrat dhe shërbimet që do të dorëzohen sipas kontratës komerciale.