Amir Rrahmani duket se do të luajë edhe për një kohë të gjatë në Napoli.Futbollisti kosovar është në rrugë të mbarë për ta vazhduar kontratën me klubin italian.
Ajo aktuale e tij do të skadojë në vitin 2024, por palët po negociojnë për vazhdimin e bashkëpunimit deri në vitin 2027, me opsion për një vit tjetër. Sipas mediave italiane, kanë mbetur edhe disa detaje të vogla para se të hidhet e zeza mbi të bardhë. Rrahmani është njëri prej lojtarëve kryesorë të Napolit në këtë sezon, i cili është shumë afër ta fitojë titullin e kampionit në Serie A dhe ka shkuar në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.
Rrahmani deri tash i ka zhvilluar 26 ndeshje në Serie A dhe në Champions duke i realizuar dy gola (në ligën italiane).
Pasi u ndal për një muaj shkaku i një tërheqjeje muskulore mes muajve tetor dhe nëntor, përfaqësuesi kosovar është rikthyer si titullar i padiskutueshëm në fushën e blertë.
Në sezonin e kaluar, ish-futbollisti i Veronës i kishte zhvilluar 41 ndeshje dhe ishte në ngritje e sipër nën drejtimin e trajnerit Luciano Spalletti.