Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka bërë të ditur se nga data 1 qershor 2025, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), në cilësinë e Furnizuesit të Mundësisë së Fundit (FMF), ka filluar furnizimin me energji për të gjitha ndërmarrjet që kanë dalë në tregun e lirë, por nuk kanë arritur të nënshkruajnë kontrata furnizimi.
Sipas njoftimit zyrtar të KEK-ut, energjia për këto ndërmarrje për ditën e parë të furnizimit është siguruar përmes Bursës Shqiptare të Energjisë Elektrike (ALPEX), me një çmim mesatar prej 64.55 euro për megavat-orë (€/MWh).
Rizvanolli u ka bërë thirrje ndërmarrjeve që brenda afateve ligjore të nënshkruajnë marrëveshje furnizimi me KEK si FMF, ose të gjejnë një furnizues alternativ në treg. Ajo theksoi se KEK mbetet i gatshëm të ofrojë të gjitha informatat e nevojshme për furnizimin përmes këtij mekanizmi të përkohshëm.
“Presim që ZRrE të monitorojë tregun me përpikmëri dhe të ndihmojë të gjitha palët për një tranzicion sa më të lehtë,” tha Rizvanolli, duke shtuar se Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar për të ndihmuar ndërmarrjet që tashmë kanë kaluar në tregun e lirë, në mënyrë që të bëjnë zgjedhjet më të favorshme për bizneset e tyre.
“Sa më shpejt që ndërmarrjet informohen saktë, aq më i lehtë e më i shpejtë do të jetë tranzicioni për to,” përfundoi ajo.