Organizata Joqeveritare “Ec Ma Ndryshe”, ka alarmuar se aktivitetet e institucioneve publike në Qendrën Historike të Prizrenit po vijojnë të realizohen pa koordinimin e duhur me autoritetet e trashëgimisë kulturore.
Kjo organizatë thekson se në Sheshin e Lidhjes po mbahet “Vera Kulturore”, për të cilin aktivitet javë më parë janë vendosur shtëpizat pa e marrë pëlqimin paraprak nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prizren.
“Organet komunale kërkesën për pëlqim e kanë adresuar me 14 korrik 2023, në ditën e njëjtë kur edhe janë vendosur shtëpizat, pa e marrë përgjigjen nga QRTK-ja përkatësisht nga Komisioni Profesional Shqyrtues i QRTK-Prizren”, thuhet në reagim.
EC i bën thirrje organeve komunale që në rastet e tilla të koordinohen më mirë me autoritetet e trashëgimisë kulturore ashtu që të respektohet legjislacioni përkatës për trashëgiminë kulturore.
Tutje, EC përkujton se të gjitha aktivitetet që realizohen në Qendrën Historike të Prizrenit duhet të kenë parasysh edhe rëndësinë e monumenteve të mbrojtura, dhe se në këtë aspekt është më se i nevojshëm dhe i rëndësishëm edhe konsultimi me autoritetet përgjegjëse të trashëgimisë kulturore, me qëllim të aplikimit të kujdesit të shtuar për integritetin e kësaj zone të mbrojtur me ligj.



