Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj para fillimi të seancës i është drejtuar mediave.
Qalaj tha se kandidatja e propozuar nga VV nuk kalon.
“Nuk besoj se do të ketë ndonjë ndryshim. Vetëm nëse koalicioni që ka fituar zgjedhjet ka ndryshuar qëndrim apo kandidaten. Vendimet e PDK-së nuk ndryshojnë, kandidatja e propozuar nuk kalon. Me sa kam unë informata, nuk ka asnjë bisedim, asnjë iniciativë nga ata që duhet të marrin iniciativa.”, tha ai.
Tutje, ai u pyet për fletarrestin që Serbia e lëshoi për një pjesëtar të Policisë së Kosovës. Qalaj u shpreh se prej një shteti armik gjëra të tilla priten.
“Çka me prit prej një shteti armik, përveç se gjëra të tilla. Mendoj që policia e Kosovës duhet ta kryej punën që e kanë me mandat dhe të mos brengosen fort se çka bën Serbia. Serbia është nëj shtet jomiqësor ndaj Kosovës. Ne duhet të bëjmë maksimumin që kudo në Kosovë të ketë rend dhe ligj dhe asgjë tjetër.”, tha deputeti i PDK-së.
Në pyetjen e gazetarëve se nëse e ka kontaktuar ndokush prej VV-së atë ose ndonjë deputet të PDK-së, Qalaj tha se atë s’mund ta kontaktoj askush për ta votuar Albulena Haxhiun.
“Nuk kam informatë të tillë. S’më ka kontaktuar askush dhe nuk mund të më kontaktoj askush për kandidaten e propozuar.”, shtoi ai.
Në fund, Qalaj tha se PDK nuk merr pjesë në votimin për formimin e komisionit për votim të fshehtë pasi është kundër kushtetues.
“Nuk marrim në votim për shkak të një vendimi kundër kushtetues dhe kundër rregullores së Kuvendit”, përfundoi ai.