Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka vlerësuar si dëshmi të fuqishme të mbështetjes amerikane faktin që Kosova është përzgjedhur ndër 20 shtetet themeluese që kanë nënshkruar Kartën e Bordit të Paqes në Davos.
Në një intervistë për RTK-në, Osmani tha se ky hap përbën një vlerësim të drejtpërdrejtë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe presidenti Donald Trump për Kosovën dhe progresin e saj në ndërtimin e paqes.
“Fakti që SHBA-të e kanë përzgjedhur Republikën e Kosovës ndër 20 anëtaret themeluese të kësaj iniciative tregon qartë vlerësimin që presidenti Donald Trump dhe Shtetet e Bashkuara kanë për Kosovën dhe rolin tonë në paqe”, deklaroi Osmani nga Shtëpia e Kosovës në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror në Davos.
Ajo theksoi se qëndrimi përkrah SHBA-ve përfaqëson jo vetëm aleancë strategjike, por edhe ndjenjë përkatësie, duke rikujtuar orientimin e qartë euroatlantik të Kosovës.
“Së bashku me aleatët tanë strategjikë, çdo anëtarësim në organizata ndërkombëtare merr rëndësi të veçantë historike. SHBA-të kanë qenë pranë Kosovës në kohët më të vështira dhe vazhdojnë të na mbështesin në arritjet tona të reja”, u shpreh ajo.
Presidentja Osmani vlerësoi se Bordi i Paqes pritet të jetë një nga organizatat më të rëndësishme në historinë moderne, me ndikim të drejtpërdrejtë në zonat e konfliktit, duke shtuar se përvoja e Kosovës në shtetndërtim do të shërbejë si model.
“Përvoja jonë në ndërtimin dhe ruajtjen e paqes, demokracisë dhe pavarësisë është dëshmi se Kosova ka shumë për të ofruar. Jemi mirënjohës ndaj SHBA-ve që na kanë besuar një rol themelues në këtë iniciativë”, theksoi Osmani.
Ajo njoftoi se marrëveshja do t’i dërgohet për ratifikim Kuvendit të Kosovës pas konstituimit të legjislaturës së re, duke shprehur kënaqësinë që Kosova, së bashku me Shqipërinë, është pjesë e kësaj organizate.
Osmani shtoi se prania e Shtëpisë së Kosovës në Davos përbën krenari të veçantë, pasi aty po prezantohen arritjet dhe potenciali i Kosovës dhe i mërgatës para liderëve botërorë.
Presidentja përfaqësoi Kosovën si anëtare themeluese, të barabartë dhe me të drejta të plota në këtë iniciativë ndërkombëtare për paqen.


