I sanksionuari nga ShBA dhe i kërkuari nga autoritetet e Republikës së Kosovës, kreu i grupit kriminal serb, Milan Radojçiq, njëherësh nënkryetar i Listës “Srpska” përmes një video në të cilën pretendon se e ka xhiruar nga territori i Kosovës është paraqitur i dëshpëruar dhe me tone kërcënuese.
Pas humbjes së përkrahjes nga qytetarët serbë për shkak te aktiviteteve të tyre kriminale dhe dështimit për organizimin e disa provokimeve kundër Kosovës, Radojciq është munduar që të kërcënojë serbët cilët më nuk i binden atij.
E kjo paraqitje e mbrëmshme e Radojçiqit, ka nxitur reagime në Kosovë.
Analisti i sigurisë Agim Musliu, e ka konsideruar këtë si një fragment të luftës hibride serbo-ruse.
Musliu ka thënë se Radojçiq ka dalë në opinion nga presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq për të treguar se ai mund ta destabilizojë Ballkanin Perëndimor.

Për këtë ka shkruar edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zyba.
Sipas tij, paraqitjet e Radojçiqit tani flasin shumë për ndyshimet që kanë ndodhur në Kosovë.
“Prej takimeve e pritjeve formale në Qeverinë e Kosovës te shfaqjet prej ilegali nëpër male, kjo, po që flet shumë”, ka shkruar Zyba në rrjetin social Facebook, duke lënë të kuptohet si dikur në qeveritë e mëparshme ky person pritej në takime nga drejtuesit e shtetit të Kosovës.

Kujtojmë se në vitin 2018 në kohën sa ishte kryeministër i vendit, Ramush Haradinaj e kishte pritur në zyrën e tij, Milan Radoiçiqin.
Madje në një komunikatë të shkurtë për media nga Zyra e Kryeministrit atëherë mes tjerash thuhej se; “Në këtë takim u diskutua për situatën e përgjithshme në vend, me theks te veçantë për aspektet e sigurisë si dhe zhvillimit ekonomik e social”.
“I forti” i veriut, pos që është takuar me ish-kryeministrin Ramush Haradinaj, është takuar në një jahte në Budva edhe me kryetarin e AKR-së dhe ish-presidentin e Kosovës, Behgjet Pacolli.
Kush është Milan Radojçiq, i shumëkërkuari?
Në kohën e zgjedhjeve të vitit 2017, Radojçiq nuk mbante ndonjë pozicion zyrtar politik, por autoriteti i tij në botën e krimit dhe dhuna e grupit të tij e bënë atë një njeri të dashur.
Radojçiq është krahu i djathtë i Zvonko Veselinoviqit, një biznesmen famëkeq serb nga veriu i Kosovës, i cili përshkruhej në raportet e policisë serbe dhe të inteligjencës të marra nga KRIK si një figurë kryesore e krimit të organizuar.
Sipas këtyre raportimeve, grupi i tij ishte i përfshirë në krime të ndryshme, përfshirë trafikimin e drogës, armëve dhe naftës në veri të Kosovës. Radojçiq punonte si korrier, duke transportuar pako me drogë nga bosët shqiptarë të drogës në Serbi.
Zbatimi i ligjit serb bëri disa përpjekje për të ndjekur penalisht Veselinoviqin dhe Radojçiqin, por dështuan çdo herë. Radojçiq madje doli në gjyq për rrëmbim, por përfundimisht u lirua pasi viktima ndryshoi dëshminë e tij. Ai u dënua vetëm një herë për posedim të dokumenteve false.Lista Serbe – partia politike e Kosovës në të cilën Veselinoviq dhe Radojçiq dihet se kanë ndikim – u formua në vitin 2014 dhe shpejt u rrit për të qenë lojtari i vetëm në komunitetin serb në Kosovë./Kosovanews/