Qeveria e Republikës së Kosovës ka reaguar pas raportimeve se për disa vite radhazi janë bërë keqpërdorime me fondet e Programit të Trajtimit Mjekësor Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike.
Në reagimin e saj Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar aktivizimin e të gjithë mekanizmave të saj dhe ofrimin e bashkëpunimit për organet e drejtësisë që të hetohen rastet e dyshimeve për abuzime me fondet që janë përdorë për pacientë që kanë pasur nëvojë për shërim jashtë institucioneve të shtetit.
“Qeveria ka pranuar me shqetësim raportimet e fundit në media lidhur me abuzimet me fondet e Programit të Trajtimit Mjekësor Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike (TMJIShP). Për Qeverinë është me rëndësi të veçantë auditimi i thukët i tërë këtij procesi e secilit transaksion që ka kaluar nëpër Programin e TMJIShP, duke u fokusuar në faktin dhe nivelin e marrjes së shërbimeve shëndetësore për pacientin, arsyeshmёrinё e kostos sё shërbimit tё ofruar, rregullsinë e procesit që prej fillimit deri në fund, provizionimin nё fond pёr zotimet e ofruara, validitetin e faturave, pagesave, etj”, thuhet në reagimin e Qeverisë.
Tutje nga Qeveria thuhet se do të qëndrojnë tërësisht në anën e kërkesave të pacientëve e të publikut të gjerë dhe do të marrë të gjitha masat e duhura e të ushtrojë brenda kuadrit ligjor kontroll të rreptë në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore (FSSh), që të sigurojë funksionimin e mbikëqyrjen e Programit me qëllim që pacientët të marrin shërbimet e kërkuara.
“Ky shërbim do t’i kthehet normalitetit, kurse abuzimet në të kaluarën të hetohen”, theksohet në reagim.
Qeveria potencon në reagimin e saj do t’i aktivizojë të gjithë mekanizmat e vet dhe do t’u ofrojë bashkëpunimin organeve të drejtësisë për hetimin e të gjitha rasteve të nxjerra publikisht lidhur me keqpërdorimet dhe abuzimin në emër të pacientëve që janë trajtuar jashtë vendit, përmes Programit të Trajtimit Mjekësor Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike.
Hulumtimi i publikuar në media ditëve të fundit ka ngritur dyshime për keqmenaxhim të bërë viteve të fundit e humbje të madhe të parasë në kurriz të pacientëve të sëmurë rëndë, e që s’gjejnë shërim në Kosovë.
Hulumtimi zbardh raste kur faturat që vijnë nga spitalet, kryesisht në Turqi, janë më të shtrenjta se profaturat.
Familjet e pacientëve në shumicën e rasteve s’kanë qasje në fatura. Ka raste kur familjarë të pacientëve rrëfejnë për keqpërdorime e se si s’i kanë marrë trajtimet për të cilat shteti mori obligim e se si kanë paguar mjete shtesë për trajtim. Dy agjenci, nga rreth 10 sa lëshojnë profatura, janë nën pronësi të një personi të akuzuar për korrupsion. E borxhi i përgjithshëm mbahet fshehtë. Teksa Fondi në përgjigje zyrtare thotë se është më pak se 2 milionë euro, Qeveria thotë se është afër 10, Bordi Ekzekutiv në fund të vitit të kaluar ka përmendur shifrën prej 28 milionë eurove./KosovaNews/