Qeveria e Kosovës në mbledhjen e së enjtes i ka shpallur terroriste organizatat serbe “Mbrojtjen Civile” (Civilna Zashtita) dhe “Brigadën e Veriut” (Severna Brigada) – të cilat operojnë në pjesën veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe.
Kryeministri Albin Kurti, ka përmendur veprimet që janë ndërmarrë nga këto grupe, si sulme ndaj KFOR-it, gazetarëve e qytetarëve tjerë.
“Sulmet ndaj qytetarëve e ushtarëve të KFOR, shkaktim i rrezikshëm ndaj pronës publike e private, detyrimi në marrjen pjesë në protesta të dhunshme etj, janë veprimet e ndërmarra nga këto grupe. Andaj, mbrojta civile dhe brigada e veriut shpallen organizata terroriste”, tha Kurti.
Kryeministri theksoi se niveli i rrezikut prej tyre është i lartë dhe institucionet janë në përpjekje të vazhdueshme për kundërvënie ndaj aktiviteteve dhe parandalimit të pasojave.
Ndërkaq paraprakisht Qeveria e Kosovës në mbledhjen e së enjtes ka miratuar strategjinë shtetërore për parandalimin dhe luftimin e terrorizmit 2023-2028 si dhe planin e veprimit.
Në prezantimin e kësaj strategjie para kabinetit qeveritar, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se ngjarjet e fundit në veri të vendit janë tregues se kërcënimet ndaj jetës, pronës dhe vlerave demokratike duhet të ketë si përgjigje kundërshtimin, parandalimin dhe luftimin institucional të të gjitha formave të terrorizmit.
LEXO më shumë: