Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në historinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të vetë shtetit, rezistenca e familjes Jashari dhe figura e Adem Jasharit janë themeltare dhe sipas tij, të tilla do të mbeten përjetë.
Në seancën solemne që po mbahet të hënën në Kuvendin e Kosovës në nder të Epopesë së UÇK-së, Kurti ka thënë se qëndresa e familjes Jashari është kthyer në rezistencë dhe frymëzoi të gjithë shqiptarët për t’u çliruar nga Serbia.
“Plot një çerek shekulli më parë më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, mijëra forca të armatosura të Serbisë e rrethuan shumëfish Prekazin në një operacion policor që pas tre ditë luftimesh, rezultoi me 59 njerëz të vrarë. Ishte hera e tretë që familja Jashari sulmohej nga policia serbe dhe ishte hera e tretë që ajo rezistonte përballë trupave policore të Serbisë pushtuese. Por kësaj radhe qëndresa e familjes Jashari do të kthehej në rezistencë shembull që frymëzoi gjithë shqiptarët e Kosovës dhe kombin mbarë për t’u çliruar nga Serbia dhe për ta ndërtuar shtetin e Kosovës në liri. Pas 5, 6 dhe 7 marsit 1998, Ushtria Çlirimtare e Kosovës do të rritej si një ushtri vullnetarësh në të cilën do të mobilizoheshin të gjithë ata që kishin vullnetin dhe guximin për të luftuar për çlirimin e Kosovës”, ka thënë ai.
Në seancën ku i pranishëm është edhe vëllai i komandantit Adem Jashari, Rifat Jashari, Kurti ka kujtuar vitin 1982 kur Rifati dhe Hamza kanë shkuar në Turqi për të marrë pamflete politike për t’i shpërndarë në Kosovë e që në to shkruante “Kosova Republikë”.
“Republika e Kosovës si shtet demokratik nis me Kosova Republikë si parullë popullore. Më shumë se katër dekada ku kishte shpërndarë pamflete me thirrjen Kosova Republikë, bacën Rifat Jashari e kemi këtu mes nesh në Kuvendin e Republikës së Kosovës. E kemi këtu për t’i kujtuar bashkë me krerët politikë të Kosovës, me deputetët e zgjedhur prej popullit në kuvendit, si me gjithë qytetarët e vendit tonë se çfarë kishte ndodhur atëherë. Për 25 vjet rresht baca Rifat ka pritur dhe përcjellë pa numër delegacionet e njerëz që vizituan Prekazin dhe familjen Jashari. Ju faleminderit që me kaq dinjitet dhe fisnikëri e keni ruajtur atë histori të familjes suaj që ju e keni bërë bashkë me Hamzën dhe Ademin, me babën Shaban dhe nënën Zahide dhe me gratë e familjes, si dhe me djemtë e vajzat tuaj”, ka thënë ai.