Policia e Kosovës ka vlerësuar se procesi zgjedhor për Zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës ka kaluar i qetë dhe pa incidente serioze që do të cenonin mbarëvajtjen e votimit.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Kosovës, aktivitetet policore gjatë ditës së votimit janë realizuar në përputhje me planifikimet operative të parapara. Zbatimi i planit policor, si dhe bashkëpunimi dhe koordinimi ndërinstitucional, kanë ndikuar pozitivisht që procesi zgjedhor të zhvillohet pa pengesa dhe pa incidente madhore.
Policia ka bërë të ditur se një nga qëllimet kryesore të planit operativ ka qenë garantimi i një ambienti të qetë dhe të sigurt për votuesit, si dhe inicimi dhe procedimi i çdo vepre të mundshme penale në koordinim me organet e drejtësisë, përfshirë dërgimin para drejtësisë të personave që cenojnë procesin zgjedhor.
Gjatë ditës së sotme, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, Policia e Kosovës ka iniciuar gjithsej pesë raste penale, të cilat lidhen me veprat penale si: “Cenimi i fshehtësisë së votimit”, “Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve”, “Pengimi i procesit të votimit” dhe “Asgjësimi i dokumenteve të votimit”. Personat e përfshirë në këto raste, me vendim të prokurorëve kompetentë, janë liruar në procedurë të rregullt.
Po ashtu, Policia ka trajtuar 30 informata të ndryshme, ndërsa në pesë raste janë evidentuar shënime zyrtare. Në koordinim me organet e drejtësisë janë trajtuar edhe raste të tjera që nuk ndërlidhen me procesin zgjedhor.
Në njoftim theksohet se Policia e Kosovës ka trajtuar çdo informacion që ka pasur lidhje me procesin zgjedhor, si dhe raste të tjera që nuk kanë qenë pjesë e tij.
Në fund, Policia e Kosovës ka vlerësuar se aktivitetet policore janë realizuar me sukses, duke falënderuar institucionet bashkëpunuese dhe qytetarët e Republikës së Kosovës për kulturën e lartë dhe bashkëpunimin e treguar gjatë procesit zgjedhor.


