Patrullat e Njësisë së Komunikacionit Rrugor në Ferizaj kanë ndëshkuar tre shoferë për shkelje të rënda të rregullave të trafikut gjatë datave 8 dhe 9 janar.
Më 8 janar, në rrugën magjistrale në Prelez të Muhaxherëve, policia ka ndaluar shoferin K.K. (27 vjeç), i cili po drejtonte automjetin pavarësisht se kishte masë mbrojtëse të ndalesës së vozitjes. Atij i është shqiptuar gjobë prej 500 euro, 5 pikë negative dhe ndalesë shtesë e vozitjes për 6 muaj.
Ndërkaq, më 9 janar, në fshatin Babush, është ndaluar shoferi A.G. (31 vjeç), i cili po voziste nën ndikimin e alkoolit me 0.74%. Ai është ndëshkuar me 200 euro gjobë, 2 pikë negative dhe ndalesë të vozitjes për 3 muaj.
Po gjatë së njëjtës ditë, në rrugën “Cen Dugolli”, policia ka ndaluar shoferin B.I. (18 vjeç), i cili drejtonte automjetin pa patentë shoferi dhe kryente manovra të rrezikshme, duke rrëshqitur gomat me frenë dore. Ndaj tij është shqiptuar gjobë prej 150 euro, si dhe është iniciuar procedurë kundërvajtëse në gjykatë.
Policia Rajonale e Ferizajt ka bërë të ditur se do të vazhdojë me kontrolle të rregullta dhe të intensifikuara, me qëllim rritjen e sigurisë në komunikacion, duke ftuar qytetarët për bashkëpunim.


