Një pilot ka vdekur pasi avioni me të cilin po fluturonte si pjesë e një feste për zbulimin e gjinisë në Meksikë është rrëzuar të dielën, raportoi CNN-i.
Videoja e publikuar në rrjete sociale tregon aeroplanin duke lëshuar tym rozë derisa fluturon mbi çiftin që po prisnin të zbulonin gjininë e fëmijës që po e presin për të ardhur në jetë.
Pamjet kapin momentin kur avioni ka problem me krahun e majtë, i cili më pas devijon drejtimin dhe përplaset në një vend larg njerëzve që ishin në festë.
Autoritetet në Navolato kanë thënë se piloti vdiq në spital pas përplasjes.
Autoritetet nuk e publikuan emrin e pilotit dhe shkaku i rrëzimit nuk është i qartë, ndërsa nuk raportohet për të lënduar të tjerë si pasojë e aksidentit.


