Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të lirojë nga TVSH-ja mallrat esenciale të konsumit për një periudhë të caktuar dhe të largohet akciza dhe të zbritet TVSH-ja në produktet e naftës si dhe të rrisë pagat.
Sipas PDK-së, Qeveria Kurti po ndihmon në thellimin e varfërisë, migrimin dhe falimentimin e kompanive.
Anëtarësi i kryesisë së PDK-së, Blerand Stavileci në një konferencë për media i ka bërë thirrje qeverisë të reagojë urgjentisht për krizën ekonomike në vend.
Sipas tij, e vetmja qeveri në botë që nuk po e pranon krizën dhe nuk po vepron për ta luftuar atë është Qeveria Kurti.
“Qeveritarët e Albin Kurtit nuk do të duhej të silleshin si sehirxhi. Qeveria nuk është spektatore, ajo duhet të jetë aktore dhe promotore e zhvillimit. E nëse këtë s’mund ta bëjë, atëherë minimalisht le të kujdeset që qytetarëve dhe familjeve t’u ndihmojë në përballje me këto kriza”, ka thënë Stavileci.


