Marrëveshja e arritur më 27 gusht, me ndërmjetësimin e emisarit special për dialog të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajcak dhe të dërguarit të posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka filluar së zbatuari në të gjithat pikat kufitare të Republikës së Kosovës. Kjo marrëveshje mundëson që qytetarët e te dy vendeve të mund të lëvizin lirshëm vetëm me letërnjoftime.
Pas një kohe të gjatë, Kosova tashmë e ka detyruar Serbinë që të ndërpres lëshimin e dokumentit për hyrje/dalje për shtetasit e Kosovës. Me një dokument të tillë, që është cilësuar si zëvendësim për letërnjoftimin, kosovarët janë pajisur me të hyrë në territorin e Serbisë, tash e 11 vjet.
Si në pikën kufitare në Merdarë, ashtu edhe në Jarinjë, gjithçka është duke shkuar mirë sa i përket kalimit të kufirit, dhe situata është e qetë.
Heqjen e kësaj mase e konfirmoi në orët e para të 1 shtatorit ministri edhe vetë i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, nga pika kufitare në Bërnjak.
“Mund të konfirmoj se e njëjta gjë ka ndodhur edhe [nga pikat kufitare] në Merdare, në Dheun e Bardhë dhe në Muçibabë. Në Jarinjë, ende nuk e kemi ndonjë veturë, e cila ka kaluar, por realisht mund të konkludojmë se autoritetet e Serbisë e kanë ndërprerë lëshimin e fletëve për hyrje/dalje për shtetasit tanë”, tha Sveçla.
“Ky është një lehtësim i madh për shtetasit tanë, të cilët udhëtojnë për apo nëpër Serbi”, shtoi ai.
Marrëveshja për heqjen e këtij dokumenti u arrit fundjavën e kaluar.
Paraprakisht ka qenë e paraparë që edhe Kosova të nisë aplikimin e së njëjtës masë për shtetasit e Serbisë, nga 1 shtatori.
Një vendim i tillë është zbatuar shkurtimisht më 1 gusht, por për shkak të rebelimit të disa serbëve në veri të Kosovës dhe me sugjerimin e bashkësisë ndërkombëtare, Qeveria e ka shtyrë për 30 ditë.
Palët, ndërkohë, me ndërmjetësimin e komunitetit ndërkombëtar, kanë arritur marrëveshje për mosaplikimin e këtyre dokumenteve nga asnjëra anë.
Nga 1 shtatori në Kosovë pritet të nisë së zbatuari vendimi i Qeverisë për riregjistrimin e makinave me targat që i lëshon Serbia.
Edhe kjo masë është dashur të nisë nga 1 gushti, por, për të njëjtat arsye, është shtyrë për 30 ditë.
Ministri Sveçla tha se shpreson se edhe “çështja e kalimit nga targat ilegale të Serbisë në targa të Kosovës” të kalojë pa probleme, sikurse ajo e dokumenteve.
Një ditë para se të hiqte kërkesën për dokumente për hyrje/dalje, Serbia vendosi disa njoftime në vendkalimet me Kosovën, ku thuhej se mundësimi i kalimit të kufirit me dokumente të identifikimit të lëshuara nga Kosova bëhet “për arsye krejtësisht praktike”, që liria e lëvizjes të bëhet më e lehtë, bazuar në Marrëveshjen për lëvizje të lirë.
Këtë marrëveshje, Kosova dhe Serbia e kanë arritur në vitin 2011 në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, por se deri më tash nuk ka gjetur zbatimin e duhur. Ajo po zbatohet tashmë pas vendosmërisë së Qeverisë së Kosovës që të veprojnë njëjtë dhe të zbatoj reciprocitet në këtë pikë./KosovaNews/