Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të mërkurën se Kosova ka qenë, dhe është palë konstruktive në dialogun me Serbinë, dhe ka gatishmëri që të rrisë angazhimin, me qëllim të intensifikimit të këtij procesi, por është Serbia ajo që po pengon, duke mos respektuar marrëveshjet e përkrahur dhe financuar strukturat kriminale.
Ajo i ka bërë këto deklarata pas takimit me të dërguarin e Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
“Shfrytëzova rastin për të shprehur pakënaqësinë tonë për moszbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara nga ana e Serbisë, duke përfshirë në veçanti refuzimin e vazhdueshëm nga ana e tyre për shpërbërjen e strukturave ilegale dhe kriminale, të cilat vazhdojnë t’i kërcënojnë edhe frikësojnë serbët e Kosovës dhe udhëhiqen nga individë të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara”.
Sipas saj, përveç refuzimit, Serbia vazhdon “t’i mbështesë ato financiarisht”.
‘Serbia jo vetëm që refuzon t’i shpërbëj këto struktura kriminale, por në fakt i mbështet financiarisht e politikisht. ShBA nuk ka aleat më të madh se populli dhe shteti i Kosovës. Ne do të vazhdojmë të punojnë bashkërisht për shumë çështje të shumta dhe paqen e stabilitetin në rajon”, është shprehur Osmani.
Kurse i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka qenë i shkurtë në fjalën e tij.
Ai ka thënë se ShBA-ja mbështet rrugën e Kosovës në proceset euroatlantike.
“Pata dëshirë që të shpreh mbështetjen e vazhdueshme për aspiratat euroatlantike të Kosovës dhe gatishmëria për të thelluar partneritetin në këtë kohë. Jam krenar që them që Kosova ka kontribuar shumë për agjendën tonë të përbashkët dhe mendoj se ngjarjet e kësaj jave në Kosovë janë indikator i rëndësishëm si po kontribuon Kosova, në mënyrë pozitive, në agjendën e përbashkët për demokraci dhe liri. E falënderoj Kosovën që do të jetë nikoqire e atij organizimi këtë fundjavë”, ka thënë emsari amerikan.
E paraprakisht presidentja Osmani ka përmendur se angazhimi amerikan është i pazëvendësueshëm për paqen dhe stabilitetin afatgjatë në rajon dhe ka thënë se Kosova po punon për anëtarësim në strukturat euro-atlantike.
“Për ne është ë rëndësishme mbështetja e rrugës demokratike dhe euroatlantike të Kosovës nga aleatët tanë amerikanë. Në këtë drejtim zyra ë pah edhe përkushtimin e institucioneve të republikës së Kosovës për t’i ndërmarrë hapat konkret për anëtarësim në strukturat euroatlantike. Potencova edhe rëndësinë e fillimit sa më parë të dialogut strategjik ndërmjet dy vendeve tona bazuar në iniciativën e ndërmarrë muaj më parë”, ka thënë Osmani./KosovaNews/



