Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim ndihmëssekretaren e shtetit dhe shefen e Divizionit për Evropë dhe Azi në Departamentin Federal për Punë të Jashtme në Konfederatën Zvicerane, ambasadoren Muriel Peneveyre, me të cilën diskutoi për zhvillimet e fundit në vend, anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe organizata tjera ndërkombëtare, si dhe për marrëdhëniet bilaterale dhe bashkëpunimin Kosovë-Zvicër.
Me këtë rast, theks i veçantë është vënë po ashtu në zhvillimin dhe progresin e Kosovës në fusha strategjike, ndërsa ambasadorja Peneveyre vlerësoi lartë edhe angazhimin e presidentes Osmani drejt avancimit të Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, si dhe fuqizimit të grave dhe vajzave në përgjithësi, njofton Presidenca kosovare.
Presidentja Osmani potencoi në veçanti raportet e shkëlqyera në mes të dy shteteve, ndërsa shprehu rëndësinë e thellimit të mëtejme të bashkëpunimit ndërshtetëror.
Në këtë frymë, Osmani ka thënë se mërgata shqiptare vazhdon të jetë një urë e fortë lidhëse ndërmjet dy shteteve dhe se ka potencial të jashtëzakonshëm për forcimin e mëtejmë të partneritetit bilateral.
Në takim, Osmani shprehu mirënjohjen e thellë për përkrahjen e vazhdueshme të shtetit zviceran ndaj Republikës së Kosovës, përfshirë edhe përkrahjen për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Në këtë drejtim, sipas njoftimit, Osmani ka theksuar rëndësinë e vazhdimit të mbështetjes së Zvicrës për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, duke vënë theksin në impaktin e drejtpërdrejt që ky anëtarësim do të kishte në fuqizimin e të drejtave të njeriut, forcimin e demokracisë, si dhe sundimin e ligjit.