Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për “Top Channel”, ka komentuar edhe largimin nga Lidhja e Demokratike e Kosovës.
Osmani ka thënë se ka qenë vendimi për përjashtim të saj për shkak të dallimeve në qëndrime politike që kishte.
“Unë e kam ndjekur atë rrugë, ishte rruga që ishte në interes të gjithë qytetarëve të Kosovës, pavarësisht se a ishin votues të LDK-së a dikujt tjetër. Isha e bindur dhe ende jam e bindur se çdo veprim që kam ndërmarrë ka qenë i drejtë dhe asnjëherë për ta dëmtuar dikë”, ka thënë Osmani.
Osmani ka thënë se si presidente mundohet të ndërtojë bashkëpunim me gjitha partitë politikë.
Osmani ka thënë se angazhimi i saj politik sa ishte në LDK e ka ndihmuar të ndërtojë përvojë të jashtëzakonshme, e cila i shërben si presidente.
“Momentin e përjashtimit e kanë vlerësuar qytetarët, ata i kanë dhënë vulën përfundimtare kësaj situate, tashmë është e kaluar”, ka thënë Osmani. “Gjatë atij angazhimi tim politik, kam pasur mundësinë të ndërtojë përvojë të jashtëzakonshme në procese nëpërmjet të cilave është ndërtuar shteti i Kosovës. Kjo më ndihmon sot si presidente e Kosovës, në vendimet që marrë, hapat që ndërmarrë, relacionet që krijoj si udhëheqëse e politikës së jashtme, veprimet që ndërmarrë si komandante supreme e Ushtrisë. Ka qenë përvojë politike, që përkundër faktit që ishte shumë e vështirë, në kontekst të partive, relacioneve, në kontekst të përvojës si shtetare më ka ndihmuar jashtëzakonisht shumë”, tha Osmani.


