Presidentja Vjosa Osmani nga Zvicra ka thënë të jetë e shqetësuar për vonesat që po ndodhin në konstituimin e Kuvendit të Kosovës, përpjekje të nisura qysh më 15 prill, kur ajo e thirri seancën e parë. Por megjithatë, Osmani tha se nëse krahasohet me vende të ndryshme në Evropë, ka raste kur përpjekjet për krijimin e një koalicioni qeverisës zgjasin me muaj të tërë.
“Me 15 prill është mbajtur seanca e parë e parlamentit ku kanë filluar përpjekjet e para për konstituimin e kuvendit. Tani ka kaluar më shumë se një muaj nga përpjekjet e para në këtë drejtim e fatkeqësisht ende nuk ka sukses. Mirëpo nëse e krahasojmë me vende të ndryshme në Evropë ka raste kur përpjekjet për krijimin e një koalicioni qeverisës zgjasin me muaj të tërë, pra nuk është jashtë normës evropiane. Kjo nuk do të thotë megjithatë se ne nuk shqetësohemi për këto vonesa. Si presidente jam e shqetësuar me këto vonesa, sepse barrën e këtyre vonesave e paguajnë qytetarët e Kosovës”, tha ajo duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në konferencën e përbashkët që pati me homologen e saj zvicerane.
Osmani tha se me mos konstituimin e kuvendit, nuk ka kuvend funksional ku mund të ratifikohen marrëveshjet ndërkombëtare, përfshirë edhe ato që lidhen me Planin e Rritjes së BE-së.
“Por, ka edhe dëme të shumta të cilat ne i bartim si barrë, si qytetarë të Kosovës për shkak të mungesës së kuvendit”.
Megjithatë, Osmani ka shprehur besimin që partitë e përfaqësuara në kuvend do të arrijnë marrëveshje për ta kaluar këtë situatë. “Sepse sa herë e vendosin interesin e shtetit si parësor, gjithmonë zgjidhja politike është afër”, tha tutje ajo.