Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci po vazhdon vizitat e tij në terren për të parë nga afër punën e disa bujqëve.
Sot, ministri Faton Peci i shoqëruar edhe nga deputetja Arjeta Fejza qëndruan për vizitë te fermerët nga fshati Kçiq i Komunës së Mitrovicës.
“E diela në Kçiq mes bujqve të vyer! Bashkë me deputeten Arjeta Fejza, sot vizituam fermerët e fshatit Kçiq, me të cilët bashkëbiseduam dhe pamë nga afër veprimtaritë e tyre bujqësore”, ka shkruar Peci.
Ministri pohoi se bujku Gani Hasani, siç e quajti “një burrë faqebardhë”, ia konfirmoi edhe njëherë se sa të kënaqur janë fermerët me punën dhe angazhimin e Ministrisë në shërbim të fermerëve.
Bujku në fjalë mbarështon rreth 35 krerë lopë si dhe kultivon 15 hektarë misër e 5 hektarë grurë.
Peci foli edhe për takimin me Arben Pllanën, një blegtor i cili mbarështon 20 krerë lopë për mish ndërsa mbjell e kultivon 7 hektar patate e 5 hektarë misër.
“Arbeni është një ndër bujqit e vyer që ka fshati Kçiq i Komunës së Mitrovicës”.
“Me fermerin Besnik Ibishin bashkëbiseduam rreth rritjes së përkrahjes. Ai kishte mbjellë 5 hektar grurë ndërsa kultivon rregullisht 15 hektarë misër. Besniku, përpos lopëve e buallicave, mbarështon bagëtitë e imta; 55 krerë dhi dhe 20 krerë dhenë.
Nga kjo vizitë takuam edhe Fatlum Pllana, Ymer Rushiti, Tahir Pllana, Fitim Pllana, Rexhep Pllana, Mexhiti Ibishi, Halil Berisha, të tjerë bujq e fermerë të vyer të kësaj zone që punojnë me vullnet e faqe të bardhë”, ka shkruar mes tjerash ministri Peci.


