Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ndodhet për vizitë zyrtare në Kosovë, duke realizuar kështu vizitën e tij të parë jashtë vendit prej kur është zgjedhur president. Ai deri tash ka takuar krerët e institucioneve të Kosovës dhe liderët e partive politike nga radhët e opozitës, duke përjashtuar këtu kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku.
Takimet e shumta të kreut të shtetit shqiptar me drejtuesit e institucioneve të vendit e partive kanë shkuar siç është më së miri, madje janë dhënë zotime se bashkëpunimi do të thellohet edhe më shumë në të ardhmen.
E në takimin me Begajn, presidentja Vjosa Osmani ka shprehur nevojën e rëndësishme që Kosova dhe Shqipëria ta kenë një traktat për mbrojtje të përbashkët që në mënyrë reciproke të reagohet në rast të cenimit të një prej këtyre dy vendeve.
Kreu i shtetit shqiptar, Bajram Begaj ka dhënë zotimin se do jetë zëdhënës i interesave të Kosovës, si në KS të OKB-së, po ashtu edhe për proceset integruese në NATO, BE dhe liberalizimin e vizave.
Takimet me liderët e opozitës në institucionin më të lartë të Kosovës
Në këtë frymë, Begaj ka vazhduar edhe sot takimet me krerët e partive politike nga kampi opozitar në Kosovë.
Në ambientet e institucionit më të lartë të vendit, Kuvendin e Republikës së Kosovës, presidenti Bajram Begaj ka takuar drejtuesit e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), si dhe drejtuesit e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Edhe gjatë këtyre takimeve janë diskutuar tema të ndryshme, mes tjerash edhe për mundësinë e krijimit të një pakti të përbashkët në mbrojtje dhe për çështje të sigurisë.
Abdixhiku ngujohet të zyrë, nuk shkon në Kuvend për takim
Ndonëse ishte paralajmëruar të kishte edhe një takim mes presidentit të Shqipërisë, Bajram Begajt dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikut, ky i fundit nuk ndodhi, raporton KosovaNews.
Pra është i vetmi Lumir Abdixhiku që nuk ka takuar kreun e shtetit shqiptar.
Ky i fundit nuk ka pranuar që takimi të ndodh në ndërtesën e institucionit më të lartë të vendit, në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Sipas një njoftimi për medie që ka lëshuar LDK kuptohet se ky subjekt ka kërkuar që takimi të bëhet në zyrat e partisë, dhe jo sikur me liderët tjerë në ndërtesën e Kuvendit.
Mirëpo, Abdixhiku para rreth 3 muajve s’e pati problem të dalë jashtë zyrave të partisë për ta takuar presidentin e Malit të Zi, Millo Gjukanoviq.
Madje jo në Kuvend, por Abdixhiku kishte shkuar në një hotel në Prishtinë për ta takuar presidentin malazez, shkruan KosovaNews.
“Sot, me bashkëpunëtorë, takuam Presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq. Biseduam për të ardhmen e dy shteteve tona dhe perspektivën euro-atlantike që Kosova dhe Mali i zi si shtete fqinje kanë”, thoshte Abdixhiku, duke e vlerësuar Malin e Zi si partner të rëndësishëm rajonal për Kosovën.
Begaj nderon Ibrahim Rugovën dhe Familjen Jashari
Gjatë së djeshme, presidenti i Shqipërisë ka bërë homazhe edhe pranë varrit të ish-presidentit, Ibrahim Rugova si dhe familjes Jashari në Prekaz.
Pas homazheve pranë varrezave të mbi 50 të vrarëve të familjes Jashari, Begaj ka vizituar edhe kullën ku për disa minuta ka dëgjuar nga ciceroni historinë e sulmeve nga forcat e armatosura serbe.
Presidenti Begaj ka vizituar edhe muzeun në Prekaz, ku ndodhen fotografi, dokumente e dëshmi të shumta të gjenocidit serb./KosovaNews/