Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj ka shprehur keqardhjen e tij pasi ushtarit hungarez që ishte lënduar nga ana e grupeve kriminale serbe në Zveçan, është dashur t’i amputohet këmba.
Ministri ka thënë që shpreson që ushtarët tjerë të plagosur të rikuperohen sa më parë.
“Shpreh keqardhjen time me rastin e pranimit të informacionit se ushtarit hungarez të KFOR-it, të lënduar nga ane e grupeve kriminale serbe gjatë protestave në Zveçan, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore është dashur që t’i amputohet këmba nga ana e mjekëve të Institutit Kombëtar të Rehabilitimit Mjekësor në Hungari. Uroj që 26 ushtarët tjerë hungarez të plagosur sa më parë të rikuperohen, e të vazhdojnë angazhimin e tyre në kuadër të misionit të KFOR-it”, ka theksuar ai.
Mehaj më tej ka shtuar se “grupet kriminale përgjegjëse për sulmin ndaj pjesëtarëve të KFOR-it duhet të marrin dënimin meritor”.
“Dhuna është e papranueshme dhe asnjë formë nuk mund të zmbraps ushtrimin e rendit e ligjit, mjeteve demokratike të pakontestueshme, të drejta e të domosdoshme për sigurinë e vendit dhe të qytetarëve të Republikës së Kosovës”.
Ndryshe, mediat në Hungari tash e dy ditë janë duke raportuar se ushtari hungarez që ishte sulmuar nga grupe serbe në Zveçan më 29 maj, i është amputuar këmba.
Ministria e Mbrojtjes në Hungari ka njoftuar se njërit ushtar i është amputuar këmba.
“Për rikuperimin e tyre, Forcat Hungareze të Mbrojtjes dhe mjekët ushtarakë po bëjnë gjithçka në maksimum. Pavarësisht nivelit të lartë të kujdesit mjekësor, pas një konsultimi paraprak me pacientin, duke marrë parasysh rezultatet e trajtimeve të ofruara që nga lëndimi, një nga rastet e kishte të obligueshme amputimin e një gjymtyre, e cila u krye të premten në Institutin Kombëtar të Rehabilitimit Mjekësor. Operacioni ka shkuar mirë, gjendja e pacientit është stabile”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Nga protestat e dhunshme të 26 majit u lënduan 30 ushtarë të KFOR-it.


