Deputetja e Alternativës në listën e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka reaguar pas zhvillimeve në seancën e djeshme konstituive të Kuvendit të Kosovës, ku u dështua dy herë zgjedhja e kryetares së Kuvendit.
Duke iu referuar Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin Nr. KO119/14, Kusari-Lila theksoi se deputetët nuk mund të lirohen nga detyrimi për të marrë pjesë në votim gjatë konstituimit të Kuvendit.
“Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese në Rastin Nr. KO119/14, pika 128 thotë se ‘Në konstituimin e Kuvendit, të gjithë deputetët duhet të jenë të pranishëm dhe të votojnë si të dëshirojnë, në mënyrë të hapur ose të fshehtë, të votojnë “për”, “kundër” ose të abstenojnë, dhe nuk mund të lirohen nga të vepruarit kështu’”, ka deklaruar Kusari-Lila.
Sipas saj, mosvotimi përbën shkelje të këtij aktgjykimi dhe nuk duhet të përsëritet në seancat e ardhshme.
“Mosvotimi sipas këtij aktgjykimi konsiderohet shkelje. Ky veprim nuk mund të përsëritet nesër gjatë vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit”, tha Kusari-Lila.
Lëvizja Vetëvendosje ka dështuar të zgjedhë deputeten Albulena Haxhiu në postin e kryetares së Kuvendit, pasi ajo mori vetëm 57 vota në të dy raundet e votimit.
Ndërkohë, 20 deputetë votuan kundër dhe tre abstenuan.