Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka shprehur bindjen se rritja e pranisë së ushtrisë së Serbisë afër kufirit me Kosovën ka ndodhur për shkak të ushtrimit ushtarak të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, “Defender Europe 25”. Këtë ai e ka thënë gjatë mbledhjes së Qeverisë, në të cilën mes të tjerash ka pasur edhe vendime për emërim në pozita të larta drejtuese.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se Serbia ka rritur praninë e forcave të saj ushtarake pranë kufirit me Kosovën.
Në hapjen e mbledhjes së Qeverisë, të enjten, Kurti ka shprehur bindjen se një veprim i tillë i Serbisë ka ndodhur, pasi që Kosova është zgjedhur që të jetë vend nikoqir i zhvillimit të ushtrimit ushtarak të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), “Defender Europe 25”.
“E rritja e gatishmërisë dhe pranisë në kufirin tonë e Forcave të Armatosura të Serbisë, besojmë që është reaksion ndaj ‘Defender Europe 25’, por ajo çfarë nuk e dimë ende është se a po e bën këtë vetë Serbia apo një gjë të tillë ia ka kërkuar Rusia”, ka theksuar ai.
Një ditë më parë, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se, afër kufirit të Kosovës me Serbinë, janë të vendosura 3 nga katër brigadat e kombinuara të ushtrisë serbe.
Sipas tij, brigadat janë të vendosura në Rashkë, në Nish dhe në Vranjë, derisa pranë vijës kufitare me Kosovën, në distancë prej 300 metrash deri në 5 kilometra, janë të vendosura edhe 28 baza operacionale si edhe 20 baza të xhandarmërisë së Serbisë.
Zhvillimin e stërvitjeve ushtarake “Defender Europe 25” e ka ndjekur nga afër presidentja Vjosa Osmani.
Ajo ka bërë të ditur se duke qenë nikoqire e stërvitjeve, Kosova ka përçuar një mesazh të qartë se jo vetëm që kontribuon, por edhe është e gatshme që të jetë pjesë e Aleancës Veriatlantike të NATO-s.
“Vetëm dy ditë më parë, në SHBA, diskutuam për vizionin e përbashkët për mbrojtjen e Evropës. Sot, ky vizion po zbatohet në terren, në tokën tonë, përmes Defender Europe ’25 – një ushtrim i përmasave të jashtëzakonshme që dëshmon përkushtimin ndaj paqes dhe sigurisë. Rreth 1000 pjesëtarë të FSK-së janë të angazhuar drejtpërdrejt – profesionistë të barabartë me aleatët nga vendet më të fuqishme të botës. Ky është një mesazh i qartë: Kosova jo vetëm që kontribuon, por është e gatshme të jetë pjesë e NATO-s”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Krahas për ushtrimin ushtarak, në mbledhjen e së enjtes të ekzekutivit, anëtarët e kabinetit qeveritar kanë marrë edhe vendim për emërimin e udhëheqësve në disa institucione, përfshirë atë të Agjencisë për Arsim, të Inspektoratit për Arsim, të Agjencisë së Meteorologjisë e edhe të Inspektoratit Qendror të Shëndetësisë.
Këto veprime të ekzekutivit, kryeministri në detyrë Albin Kurti, i ka justifikuar duke thënë se emërimet dhe formimet për përmbylljen e proceseve rekrutuese, janë nisma të ndërmarra më herët.
“Me këtë rast, me këto vendime nuk po e fillojmë nismën e proceseve të reja, por vetëm po i përmbyllim ato që i kemi nisur e janë zhvilluar gjatë mandatit të plotë e të rregullt tonë. Ky nuk është vetëm obligim i yni, por është edhe përgjegjësi ligjore dhe institucionale, për t’i plotësuar pritshmëritë e atyre që i kanë besuar shtetit e i janë shtruar mundësisë, të jenë pjesë e administratës publike”, ka theksuar ai.
Qeveria në detyrë, të enjten, ka ndarë edhe 20.721 euro për mbulimin e kontributit vjetor të Qeverisë në Qendrën Rajonale të Nismës për Migrim, Azil e Refugjatë. Është formuar, gjithashtu, edhe komisioni i ankesave për shtetësi, si dhe janë shpronësuar disa prona në komunën e Pejës.