Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se brenda tre javëve duhet të përmbyllet procesi i konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Në një intervistë në Tëvë 1, ai theksoi se sa më shpejt të ndodhë kjo, aq më mirë, por shtyrja e procesit nuk është e pranueshme.
Kurti gjithashtu foli për takimin me presidenten Vjosa Osmani, ku diskutuan të gjitha çështjet në lidhje me këtë proces.
“Është dakordësi e përbashkët që kemi pak më shumë se tri javë kohë. Sa më herët të përfundojë, aq më mirë, por më vonë nuk duhet të ndodhë, ashtu siç ka vendosur Gjykata Kushtetuese”.
“Nuk jam i sigurt nëse afati bie më 26 apo 27 korrik, por deri në fund të muajit të gjitha pikat duhet të jenë të mbyllura”, tha ai.
Gjithashtu, Kurti theksoi se kryesuesi i seancës nuk ka shkelur asnjë ligj gjatë drejtimit të seancës.
Tutje Kurti ka thënë se kryesuesi i seancës Avni Dehari nuk e ka shkelur Kushtetutën sepse po të shkelte Kushtetutën këtë do ta thoshte Gjykata Kushtetuese.
Po ashtu ai ka folur edhe për votimin e fshehur duke thënë se nuk ka bërë shkelje kryesuesi i seancës.
“Në 47 faqe të aktgjykimit nuk mund ta gjeni asnjë gjysmë fjalie ku mund të aludohet lëre më të thuhet që Avni Dehair e ka shkelur Kushtetutën, andaj nuk ka bërë asnjë shkelje”.
“Gjykata Kushtetuese e ka pasur shancin të thotë në këtë aktgjykim që Avni Dehari ka bërë shkelje, do duhej ta thoshte po të ishte ky rasti. Nëse e ka shkelur Kushtetutën Avni Dehari, është dashur ta thotë kushtetuesja në këtë aktgjykim – por a e dini pse nuk e ka thënë, sepse nuk e ka shkelur”, ka thënë ndër të tjera Kurti.