Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Burgu i Dubravës ishte grumbullim i të burgosurve politik, me ç’rast Serbia synonte vrasjen dhe pushkatimin e tyre.
Në 24-vjetorin e masakrës në Burgun e Dubravës, Kurti u shpreh se kjo kategori nuk mund të anashkalohet e të mos kujtohen.
“Përtej të dhënave na shtrohet edhe një problem se si duhet të lexohen këto masakra, vrasje e burgosje. Një nga mënyrat për ta kujtuar historinë e Kosovës është për të lexuar për burgosjen sipas rendit juridik”.
“Të burgosurit politik shqiptar ishin një kategori në vete që nuk mund të injoroheshin. Shteti i Serbisë i grumbulloi mbi 900 të burgosur politik i solli në Dubravë për t’i pushkatuar. Këtë burg e bëri një far kampi i të burgosurve politik”, tha Kurti.
“Ky plan dhe kjo “zgjidhje përfundimtare” e ideuar nga Serbia, e bëri burgun e Dubravës një lloj kampi përqendrimi politik, për të burgosurit politikë shqiptarë. Qëllimi ishte jo vetëm eliminimi i tyre politik, por edhe zhdukja e tyre fizike. Se çka ndodhi në burgun e Dubravës mes 19 majit dhe 24 majit të vitit 1999, më së miri e kanë rrëfyer dhe na e rrëfyen edhe sot dëshmitarët e atyre ngjarjeve, të burgosurit e mbijetuar të masakrës në burgun e Dubravës, që fatmirësisht janë shumë“, tha kryeministri.
Ndonëse të burgosurit e mbijetuar, sikurse Enver Dugolli, Nait Hasani, Ukë Thaçi, Asllan Selimi e të tjerë autorë, e kanë rrëfyer historinë e masakrës në burgun e Dubravës deri në detaje bashkë me emrat e atyre që kryen këtë krim lufte, kryeministri shtoi se ata ende nuk janë nxjerrë para drejtësisë, përkundër dëshmive dhe dëshmitarëve.
Tutje, ai vlerësoi se kjo vizitë përveç për ta kujtuar masakrën e kryer nga Serbia mbi të burgosurit shqiptarë këtu, është edhe për ta denoncuar këtë krim lufte të kryer nga shteti serb, ngase Republika e Kosovës është shteti ynë që po ngritët e po forcohet dhe i cili nuk harron dhe nuk fal asnjë krim të bërë gjatë luftës.
“Lavdi për të gjithë të burgosurit të vrarë në masakrën në burgun e Dubravës dhe secilës jetë të dhënë në rrugën tonë për lirinë e Kosovës!”, tha në fund kryeministri Kurti.
Në vizitën në Dubravë, bashkë me kryeministrin Kurti ishin edhe Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu si dhe Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti.
Ndryshe, 24 vjet më parë në Burgun e Dubravës ka filluar të kryhet njëra nga masakrat më të mëdha në Kosovë kundër shqiptarëve nga regjimi i kriminelit i Sllobodan Millosheviq.
19 vite më parë, brenda burgut janë vrarë 160 të burgosur shqiptarë dhe janë plagosur më shumë se 300 të tjerë.
Masakra e Burgut të Dubravës është kryer prej 19 deri më 24 maj të vitit 1999.
Brenda Burgut të Dubravës gjendet një pllakë përkujtimore me emrat e të gjithë atyre që janë vrarë në këtë masakër, që konsiderohet si një nga masakrat më të mëdha të regjimit serb të kryer ndaj shqiptarëve.
Ende për këtë masakër nuk është dënuar askush.


