Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, konsideron se është humbje kohe dhe dëm që nuk po funksionon Kuvendi i Republikës së Kosovës. Duke folur rreth vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Kurti ka theksuar se, sa i përket çështjes së votimit në pako të nënkryetarëve të komuniteteve, nuk mund të kthehet mbrapsht votimi i përfunduar.
Mosfunksionimi i legjislaturës është humbje kohe dhe dëm për Kosovën, ka nënvizuar kryeministri në detyrë Albin Kurti, duke vënë në pah se duhet analizuar me përpikëri situatën pas aktgjykimit të Kushtetueses.
“Ajo që mund të them tani konsideroj që është humbje kohe edhe dëm që nuk po funksionon kuvendi. Kuvendi i Republikës së Kosovës e ka zgjedh kryetarin Dimal Bashën i ka zgjedh katër nënkryetarët Albulena Haxhiun, Vlora Çitakun, Kujtim Shalën dhe Emilia Regjepin, askush nuk është duke e zënë karrigen e zbrazët për nënkryetarin serb, është dashur që të vazhdoi puna e kuvendit sepse shteti i Kosovës nuk ka kohë për të humbur”, tha Kurti.
Ndërkohë, sa i përket çështjes së votimit në pako të nënkryetarëve të komuniteteve, Kurti nënvizoi se nuk mund të kthehet mbrapsht votimi i përfunduar.
“Emilia Rexhepi është nënkryetar e kuvendit të Kosovës nuk mundet votimi për Emilia Rexhepin të anulohet, prandaj ne kemi ngelur te nënkryetari i fundit i komunitetit serb, por mos harroni nuk janë serb vetëm ata të listës serbe, serb është edhe Nenad Rashiq . Në njërën anë përfaqësuesi i listës serbe i mori veç 10 vota a Nenad Rashiq i mori 56, veq 5 vota t’ia jepeshin këta të opozitës sot nuk do të ishim duke i bërë këto pyetje e këto përgjigje”.
Emilija Rexhepi u zgjodh nënkryetare e Kuvendit nga pakica joserbe në një votim ndaras nga pakica serbe në gusht, pavarësisht asaj se në të kaluarën nënkryetarët u votuan në pako. Derisa Rexhepi i mori votat e nevojshme, kandidati i partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, Lista Serbe, nuk i mori votat, siç nuk i morën as kandidatët e tjerë të kësaj partie të hedhur në votim me short nga kreu i ri i Kuvendit, Dimal Basha.
Kjo bëri që Lista Serbe të ankohej në Kushtetuese për veprimin e Bashës, i cili, më vonë, e shpalli të konstituuar Kuvendin, pavarësisht moszgjedhjes së nënkryetarit nga minoriteti serb.
Gjykata Kushtetuese nuk e ka publikuar ende aktgjykimin e plotë të 30 shtatorit dhe asaj zakonisht i duhet rreth një javë për ta bërë këtë.


