Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe përfaqësues të Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE), vizituan komunën e Vitisë për të parë nga afër investimet që po bëhen në shkolla dhe banesa sociale, me qëllim përmirësimin e kushteve të jetesës dhe mësimdhënies.
Investimet në këtë komunë përfshijnë renovimin e katër shkollave: “28 Nëntori”, “Njazi Rexhepi”, “Mirali Sejdiu”, “Dëshmorët e Lubishtës” dhe Qendrës për Punë, me një vlerë prej rreth 600 mijë euro. Dy prej tyre, “28 Nëntori” dhe “Njazi Rexhepi”, u vizituan nga Kryeministri dhe delegacioni.
Kurti tha se “pas intervenimeve, të dyja shkollat do të kursejnë mbi 70 për qind të energjisë elektrike, do të ulen ndjeshëm shpenzimet operacionale dhe do të përmirësohen kushtet për 500 nxënës dhe mësimdhënës”.
Përveç projekteve në zhvillim, në Viti janë përfunduar me sukses edhe renovimet në tri shkolla të tjera: “Bafti Haxhiu”, “Ndre Mjeda” dhe “Hysen Tërpeza”, me një investim shtesë prej 312 mijë euro.
Gjithashtu, Kurti vizitoi banesat sociale në Viti, ku po investohet për termoizolim dhe përmirësim të kushteve të jetesës për 55 familje me rreth 200 banorë. Ai theksoi se: “Tash pas renovimeve që po i bëjmë, do ta kenë fresk verës e ngrohtë dimrit. Ky investim është dëshmi e përkushtimit për banim më dinjitoz”.
Projektet po implementohen nga FKEE me 90% financim nga Qeveria e Kosovës dhe Bashkimi Evropian, ndërsa 10% nga Komuna e Vitisë. Kryeministri shprehu falënderim për bashkëpunimin institucional, duke theksuar rëndësinë e investimeve në përmirësimin e jetës dhe mjedisit arsimor.