Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, vizituan kampin veror edukativ të organizuar nga “Balkan Sunflowers Kosova” (BSK), ku po marrin pjesë rreth 200 fëmijë nga radhët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.
Ky kamp veror pesëditor, i cili po realizohet në Parkun e Gërmisë, synon kombinimin e aktiviteteve edukative, rekreative dhe sociale në një mjedis të sigurt dhe gjithëpërfshirës. Aty marrin pjesë rreth 200 fëmijë nga qendrat e organizatës joqeveritare BSK në Fushë Kosovë, Graçanicë dhe Plemetin. Aktivitetet zgjasin tri orë në ditë.
Kryeministri Kurti dhe ministrja Nagavci gjatë bashkëbisedimit me themeluesin e BSFK, Rand Engel, drejtoreshen e BSFK, Ferdane Asllani dhe fëmijët pjesëmarrës në kamp u njoftuan për aktivitetet dhe trajnimet që po zhvillohen gjatë këtyre ditëve, me ç’rast edhe morën mirënjohje për mbështetjen e dhënë në realizimin e kampit veror dhe për vizitën sot.
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, me kërkesë të organizatës BSK e ka mbështetur financimin e kampit këtë vit.
