Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, ka zhvilluar sot një aksion në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), konkretisht në Divizionin e Autoshkollave.
Aksioni është ndërmarrë në kuadër të një hetimi për dyshimet mbi keqpërdorimin e pozitës apo autoritetit zyrtar.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, ka konfirmuar se janë intervistuar tri zyrtare të kësaj ministrie.
“Është një hetim i rregullt dhe janë intervistuar tri persona të dyshuara për keqpërdorim të pozitës zyrtare. Nuk ka pasur bastisje, janë intervistuar dhe janë marrë disa prova materiale”, deklaroi Gashi.
KosovaNews, në mëngjesin e sotëm raportoi ekskluzivisht se të dyshuarat që janë marrë në pyetje janë zyrtare të Divizionit të Autoshkollave:
Florije Kelmendi Selimi, inspektore dhe njëherësh nëna e reperit të njohur Ghetto Geasy (Getoar Selimi),
Vjollca Kelmendi, zyrtare në të njëjtin divizion,
dhe Edila Gosalci, po ashtu zyrtare në Divizionin e Autoshkollave.
Më herët, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Baki Kelani, konfirmoi për mediat se hetimet janë duke u zhvilluar mbi dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Lexo po ashtu:
“Policia e Kosovës, me njësitë e saj relevante dhe me autorizim të Prokurorisë kompetente, sot në Prishtinë është duke kryer hetime ndaj disa personave mbi dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Pas përfundimit dhe kompletimit të zhvillimeve policore, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë mund të bëhen publike informacione shtesë,” tha Kelani.
Deri më tani, reperi Ghetto Geasy nuk ka reaguar publikisht për përfshirjen e nënës së tij në këtë rast.
Lexo po ashtu: