Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se sulmi që do të mund të kishte ndodhur nga personi tek i cili më 23 qershor iu gjet sasi e madhe armësh të sjellë nga Serbia, do të kishte pasoja të mëdha.
Kurti ka deklaruar se Serbia e ka përshkallëzuar situatën më tej me organizimin e sulmeve terroriste në Kosovë.
“Serbia qartazi është e pozicionuar për përshkallëzim të situatës. Përveç agresionit që Serbia ka ndërmarrë ndaj Republikës së Kosovës duke rrëmbyer 3 zyrtarë të Policisë së Kosovës brenda territorit tonë në 14 qershor 2023, ajo luftimin e rendit juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës e ka çuar një hap me tutje me organizimin e sulmeve terroriste”, ka shkruar në Facebook.
Kurti ka shtuar se armatim i tillë i gjetur të premten ishte përdorur edhe në sulmin kundër pjesëtarëve të KFOR-it më 29 maj në Zveçan nga protestuesit serbë.
“Panorama e këtij organizimi terrorist është e qartë: vetura me targa të Beogradit, pronë e ndërmarrjes shtetërore të hekurudhave të Serbisë; armatimi i gjetur i gjithi prodhim i Serbisë, ndër to granata të dorës prodhuar në vitin 2021, të tilla që janë përdorur në sulmin e 29 majit 2023 në Zveçan kundër ushtarëve të KFOR-it; jelekë me mbishkrime të njësiteve ruse, serbe dhe logo e shenja identifikuese të organizatës “Severna Brigada”, si dhe mjete shpërthyese të përdorura më herët nga formacioni ilegal me aktivitete kriminale “Mbrojtja Civile”. Sasia e madhe e armatimit të gjetur tregon për përmasat e aksionit të planifikuar e të pasojave të parandaluara”, ka thënë Kurti.


