Me një ceremoni të veçantë të mbajtur sot në Prishtinë është bërë themelimi i Shoqatës së Miqësisë Austriako-Kosovare, ku morën pjesë pjesë krerë të shtetit, akterë politik, ambasadorë të huaj, deputetë austriak e përfaqësues të shteteve tjera.
Presidentja e vendit Vjosa Osmani, ka thënë se themelimi i Shoqatës së Miqësisë Kosovë-Austri, është një domosdoshmëri, një respekt dhe një mirënjohje.
Sipas saj, kjo shoqatë është një mundësi më shumë ndërmjet dy vendeve për ta vazhduar traditën e miqësisë.
“Miqësia ndërmjet nesh është një fanar shprese në një botë gjithnjë e më të ndarë, është çelës për paqe, prosperitet e mirëkuptim ndërmjet kombeve e shteteve”, ka thënë Osmani në ceremoninë e themelimit të kësaj shoqate.
Presidentja Osmani, tha se Austria ndihmoi Kosovën në kohë të vështira. Ajo ka përmendur se shteti i Austrisë ishte i pari vend që njohu diplomat e të diplomuarve nga Kosova që para luftës shkuan për studime në Austri.
Osmani falënderoi shtetin austriak që ka mbështetur rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë dhe shtet ndërtimit
“Shteti i Kosovës është bërë edhe në sajë te ndihmës dhe përkrahjes së pakusht nga miqtë e saj sikurse edhe Austria. Në një kohë kur kontinenti ynë po përballet me rreziqe të shumta nga sistemet hegjemoniste është e rëndësishme që shtetet tona të forcojnë lidhjet. Bashkëpunimi i ndërsjellë ekonomik shërben si bazë për miqësitë afatgjate. Miqësia e Kosovës me Austrinë është sa e vjetër, aq edhe e çmueshme. Austria është shteti mik që na ka dal në ndihmë vazhdimisht ndaj themelimi i shoqatës së miqësisë është një domosdoshmëri”, u shpreh Osmani.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Austria është partner i palëkundur i Kosovës.
Ai vlerësoi se shoqata e themeluar sot është një kontakt tjetër për bashkëpunim mes dy vendeve.
Për mbështetjen e dhënë ndër vite, shtetin austriak e falënderoi edhe kryeministri Albin Kurti.
Ai tha se Austria ka qenë avokate e Kosovës në rrugën e saj drejt integrimeve evropiane.
“Austria është një partner i palëkundur i Kosovës si para dhe pas pavarësisë duke ofruar ndihmën e saj në një sërë fushash. Kompanitë austriake kanë investuar në Kosovë duke krijuar vende të reja të punës. Austria ka qenë një avokate e Kosovës në skenën ndërkombëtare duke na mbështetur për t’u integruar”, tha i pari i ekzekutivit.

Kurse deputeti i Parlamentit Evropian nga Austria, Lukas Mandl, vlerësoi se themelimi i kësaj shoqate është më rëndësi për dy vendet, Kosovën dhe Austrinë.
Ai tha se Populli i Kosovës ka orientim drejt Evropës.
Në këtë rast, Mandl falënderoi shoqërinë civile e cila tha se ka kontribuuar në marrëdhëniet mes dy shteteve derisa potencoi se të gjithë duhet të punojnë më shumë për qytetarët.




