Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka pritur sot në takim ambasadorin e Finlandës në Kosovë, Matti Nissinen, të shoqëruar nga Jeeni Laakso nga Ministria e Punëve të Jashtme të Finlandës dhe Annina Peltonen nga Fondacioni për Paqe “Marti Ahtisaari” (CMI).
Në këtë takim ata kanë diskutuar për zhvillimet e fundit politike në Kosovë pas pranimit të propozimit evropian nga kryeministri Kurti në Bruksel dhe dakordimit për aneksin e zbatimit të tij në Ohër.
Krasniqi, përmes një postimi në Facebook, pas këtij takimi ka ritheksuar qëndrimin e PDK-së se marrëveshja është mundësi e humbur për të përmbyllur konfliktin e ngrirë prej dekadash me Serbinë.
“Për ne, kjo marrëveshje, e cila nuk është as finale e as gjithëpërfshirëse dhe që heq dorë nga njohja e ndërsjellë, është e pamjaftueshme dhe mundësi e humbur për të përmbyllur konfliktin e ngrirë prej dekadash me Serbinë. Kjo marrëveshje, mbi të gjitha, është rezultat i gabimeve të vazhdueshme të kryeministrit Kurti dhe nuk i arrin qëllimet tona shtetërore e qytetare. Mysafirët i falënderova për vizitën dhe mbështetjen konstante që Finlanda ka dhënë për Republikën e Kosovës”, ka shkruar Krasniqi.